Aktualitet

Efektivi raportoi se u qëllua, policia në Kurbin: Është dëmtuar mjeti, po hetojmë ngjarjen

Po ashtu theksohet se nuk janë gjetur asnjë gjurmë gëzhojash, por vetëm mjeti i dëmtuar i efektivit.

12 Dhjetor 2023, 12:53 Nga I.A
Efektivi raportoi se u qëllua, policia në Kurbin: Është
Policia

KURBIN- Një efektiv policie ka raportuar në Kurbin se është sulmuar nga dy persona të armatosur mbrëmjen e djeshme. Mësohet se efektivi 23-vjeçar, ishte duke shkuar për në punë, në momentin që dy persona, kanë hapur zjarr në ajër. Polici i është kundërpërgjigjur të shtënave, ndërkohë që në njoftimin e policisë thuhet se po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Po ashtu theksohet se nuk janë gjetur asnjë gjurmë gëzhojash, por vetëm mjeti i dëmtuar i efektivit.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 21:00, të mbrëmjes së kaluar, punonjësi i Policisë, shtetasi Dh. M., 23 vjeç, banues në Laç, me detyrë inspektor i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, ka kallëzuar se sapo ka dalë nga banesa, për në punë, me automjet privat, ka parë në rrugë, në vendin e quajtur "Rruga e Sanxhakut", 2 shtetas të armatosur, të cilët sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, sapo e kanë parë atë, kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër. Në një situatë të tillë, punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit.

Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë shtetas. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast. Aktualisht, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit. Në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë. Me qëllim hetimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të tij, te grupi i posaçëm hetimor është përfshirë dhe struktura vendore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

policia e kurbinit

Sondazh

Poll