Aktualitet

Vrasja e Javorit/ Policia zbardh dinamikën e ngjarjes: Pati shkëmbim zjarri midis autorit dhe viktimës, i përfshirë edhe vëllai

Sipas policisë, mes viktimës dhe autorëve ka patur shkëmbim zjarri, ku Javori gjeti vdekjen pasi u qëllua nga ana e pasagjerit të 'Mercedes Benzit'. 

8 Dhjetor 2023, 14:46 Nga a.l
Vrasja e Javorit/ Policia zbardh dinamikën e ngjarjes: Pati shkëmbim
Mercedes

FIER- Policia ka zbardhur dinamikën e vrasjes së Elton Javorit në Fier. Në kërkim është shpallur autori, Agim Gashi ndërsa bëhet me dije se i përfshirë në këtë ngjarje është edhe vëllai i tij, Kreshnik Gashi pasagjer në makinën tip 'Mercedes Benz' nga ku u qëllua 41-vjeçari. 

Sipas policisë, mes viktimës dhe autorëve ka patur shkëmbim zjarri, ku Javori gjeti vdekjen pasi u qëllua nga ana e pasagjerit të 'Mercedes Benzit'. Kamerat e sigurisë nuk kanë ndihmuar për të zbuluar drejtimin e makinës edhe pse dyshimet e hetuesve janë se mund të ketë ikur në drejtim të Vlorës. Sakaq kontrolli në pikat kufitare vijon.  

Pistë hetimi për vrasjen e 41-vjeçarit, është konflikt i çastit mes autorit dhe viktimës, të cilët i kanë banesat në distancë jo më shumë se 200 metër në Fier, por nuk përjashtojnë mundësinë e konflikteve të mëparshme. Viktima dhe vëllai kanë qenë në Gjermani, i kthyer në Fier 2 javë më parë, ndërsa autori Gashi qëndronte në Fier dhe njihej si person problematik. 

NJOFTIMI I PLOTË: 

Fier/Informacion shtesë në lidhje me mekanizmin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në lagjen "16 Prilli", ku mbeti i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetetit, rezultoi se:

Ditën e djeshme në lagjen "16 Prilli", Fier, nga një automjet tip "Benz", nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip "Fuoristradë" e cila drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, shtetasi E. J., ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip "Benz". Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip "Benz" janë shtetasit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç(vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin tip "Fuoristradë", u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe shtetasit E. J. për motive të dobëta.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe mbledhjen e te gjitha provave për dokumentimin e plotë të saj.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasve A.G. dhe K.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim" e kryer në bashkëpunim dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak".

elton javori

Sondazh

Poll