Aktualitet

Bonusi i fundvitit për pensionistët, nis sot shpërndarja, përfitojnë rreth 700 mijë pensionistë

Ministria e Financave konfirmoi se bonusi i fundvitit do të shpërndahet së bashku me pensionet mujore përgjatë muajit dhjetor nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. 

4 Dhjetor 2023, 14:23 Nga r.ll
Bonusi i fundvitit për pensionistët, nis sot shpërndarja,
foto ilustruese

TIRANË- Ditën e sotme nis shpërndarja e bonusit prej 5 mijë lekësh për rreth 700 mijë pensionistë. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe personave të tjerë që përfitojnë trajtime financiare me bonusin e fundvitit, në masën 5 mijë lekë, me një fond total prej 3.5 miliardë lekësh.

Ministria e Financave konfirmoi se bonusi i fundvitit do të shpërndahet së bashku me pensionet mujore përgjatë muajit dhjetor nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. 

Në një konferencë për mediat, drejtori i ISSH, Astrit Hado u shpreh se ky bonus mund të tërhiqet nga qytetarët deri në 31 Dhjetor të vitit të ardhshëm. Hado theksoi po ashtu se përfitues të bonusit janë 704 mijë qytetarë dhe se ai do të shpërndahet bashkë me këstin mujor.

“Si çdo vit edhe sivjet ky bonus jepet për të gjithë qytetarët që marrin një shpërblim në formën e pensionit të pleqërisë, apo të trajtimit të veçantë. Numri total i përfituesve që do të trajtohen me këtë bonus është 704 mijë qytetarë shqiptarë, masa e këtij përfitimi është 5 mijë lekë të reja dhe e drejta për ta përfituar këtë bonus fillon që nga sot dhe afati i tërheqjes është 1 vit. Të gjithë ata që nuk munden për arsye të ndryshme ta tërheqin në prag festash, mund ta tërheqin vitin e ardhshëm, pa pasur nevojë të shtyhen në radhë”, u shpreh Hado.

Ky është bonusi i dytë që jepet brenda këtij viti, pas atij të akorduar në muajin prill, nga i cili do të përfitojnë rreth 700 mijë pensionistë, por edhe kategori të tjera, që përfitojnë trajtime financiare. Në tre vitet e fundit, për indeksimin e pensioneve janë alokuar 25 miliardë lekë, të cilat me buxhetin e parashikuar për vitin e ardhshëm arrijnë në afro 30 miliardë lekë dhe me efekt të përhershëm në buxhetin e shtetit. Në total parashikohet të përfitojnë 767 të moshuar që trajtohen me pension.

Ndërkohë në 1 tetor, mbi 767 mijë individë të të gjitha kategorive të pensioneve kanë përfituar indeksimin në masën 8.6% të pensionit që marin. Në Buxhetin 2024, për indeksimin e pensioneve janë parashikuar 4.1 miliardë lekë dhe 3.6 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët.

 

bonusi i fundvitit per pensionister

Sondazh

Poll