Sport

“Euro 2024”/ Me vuajtje 2-2, por Hungaria është e dhjeta e kualifikuar për në Gjermani

Skuadra hungareze barazoi kundër Bullgarisë në Sofje falë autogolit në minutën e 97-të. Hungarisë i duhej një barazim për t’u kualifikuar në Europianin e Gjermanisë 2024.

16 Nëntor 2023, 21:22 Nga DOSJA

“Euro 2024”/ Me vuajtje 2-2, por Hungaria është e dhjeta e

BULLGARI - Hungaria barazoi këtë të enjte kundër Bullgarisë në Sofje (2-2) dhe u bë skuadra e dhjetë që kualifikohet në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani. 

Për të siguruar praninë e saj në festën e madhe të futbollit europian, ekipit hungarez i mjaftoi që të barazonte kundër Bullgarisë. Skuadrës së drejtuar nga Marco Rossi iu desh të vuante deri në fund për ta arritur atë. Ata po humbnin deri në minutën e 97-të, por më pas Aleks Petkov shënoi autogol dhe bëri rezultatin 2-2.

Martin Adam shënoi për Hungarinë në minutën e 10-të, duke përfituar nga një top i Dominik Szoboszlai. Por Bullgaria, e parafundit në grupin “G”, nuk vonoi shumë për të barazuar rezultatin. Ata e bënë këtë në minutën e 24-të me Spas Delev i ndihmuar nga  Kiril Despodov.

Bullgaria mbeti me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq ndaj Valentin Antov, kur pa të verdhën e dytë në minutën e 36-të, por forcat u barazuan në minutën e 57-të, kur edhe Milos Kerkez doli jashtë fushe për një dopietë kartonash të verdhë.

Rezultati 1-1 e kualifikonte Hungarinë, por në minutën e 78-të, Despodov shënoi golin e dytë të Bullgarisë. Në mënyrë epike, në kohën shtesë, skuadra e trajnerit Marco Rossit  e siguroi prezencën në eventin e madh në Gjermani, falë autogolit të Petkov (97’). 

Për herë të pestë në historinë e saj, Hungaria do të marrë pjesë në finalet e Kampionateve Europiane, duke siguruar edhe “biletën” e dhjetë të “Euro 2024”. Nëntë të tjerat, që kanë siguruar finalet janë Spanja, Gjermania (pritëse), Portugalia, Anglia, Franca, Skocia, Turqia, Belgjika dhe Austria.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll