Politike

"Turp të keni"/ Deputetët e opozitës bllokojnë dyert e sallës të Konferencës së Kryetarëve, nuk lejojnë Çuçin të hyjë brenda

Në mbledhjen e sotme të konferencës së kryetarëve pritet të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm, ndërsa i pranishëm do të jetë edhe ministri i Financave, Ervin Mete.

1 Nëntor 2023, 10:43 Nga r.ll
"Turp të keni"/ Deputetët e opozitës bllokojnë
deputetet e opozites

TIRANË- Deputetët e opozitës kanë bllokuar dyert e sallës ku pritet të zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Ata nuk kanë lejuar kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi për të hyrë në ambientet e brendshme.

“Turp të keni që na keni përjashtuar”,"Turp të keni ju që silleni korridoreve" dëgjohen replikat mes deputetëve në videon e siguruar nga BW. 


Në mbledhjen e sotme të konferencës së kryetarëve pritet të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm, por opozita po tenton që të mos lejojë zhvillimin, dhe nuk ka lejuar as ministrin e Financave, Ervin Mete të futet në sallë.

Deputetët e opozitës kanë vendosur që veprimtaria parlamentare të bllokohet deri në momentin kur mazhoranca të plotësojë kërkesat e tyre siç janë komisionet hetimore si dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Sekretariati për Procedurën, Votimin dhe Etikën ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e Parlamentit deputetët demokratë Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, për shkak se penguan zhvillimin normal të seancës plenare të ditës së hënë./Dosja.al

opozita ne kuvend

Sondazh

Poll