Sport

Fitore fantastike e Ballkanit të Suharekës. Kampionët e Kosovës gjunjëzojnë Dinamo Zagreb në "Fadil Vokrri"... (video)

Skuadra e Ilir Dajës arrin fitoren e pare në grupin ‘C’ të Conference League, pasi ka mposhtur 2-0 kroatët e Zagrebit në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

5 Tetor 2023, 21:06 Nga DOSJA
Fitore fantastike e Ballkanit të Suharekës. Kampionët e

KOSOVE - Almir Kryeziu dhe Walid Hamidi janë ‘heronjtë’ e Ballkanit të Suharekës, i cili fitoi ndeshjen e parë në grupin “C’ të Conference League. Ata shënuan dy gola, nga një secilën pjesë, duke i dhënë fitoren e bukur 2-0 kampionëve të Kosovës.

Kur pritej që të mbyllej pjesa e parë, në minutën e 44-t, Qëndrim Zyba jep pasim të bukur për Almir Kryeziun, i cili me të parën gjuan dhe shënon për 1-0 një super gol. Gjyqtari akordoi fillimisht një pozicion jashtë loje, por që me rishikimin e VAR goli u pranua.

Ballkani shkoi në pushim me një gol epërsi, ndërsa me të filluar e pjesës së dytë Dinamo Zagrebi ishte pak më e rrezikshme.

Në minutën e 52-të, Misic u fut në zonë, harkoi për tokë, ndërsa Bajram Jashanica largoi topin rrezikshëm, i cili shkoi ngjitur me shtyllën. Dinamo tentonte të bënte presion, por në të shumtën e rasteve lojtarët e Ballkanit largonin rrezikun.

Ndeshja u vendos në minutën e 83-të, kur Walid Hamidi vodhi një top dhe shënoi 2-0 për të vulosur fitoren e bukur dhe të merituar të Ballkanit. Stadiumi “Fadil Vokrri” është në festë.

Ballkani merr fitoren e parë në fazën e grupeve të Conference League dhe me tri pike, pozicionohet në vendin e dytë së bashku me Dinamon.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll