Sport

Nga ndeshja ndaj Manchester United, te droga dhe tentativat për vetëvrasje: Historia e trishtë e sulmuesit Liam Hughes

Lojtari nga ekipet e nivelit më të ulët në Angli, flet per çështje të shëndetit mendor dhe tregon historinë e tij për të parandaluar të tjerët të kalojnë të njëjtën gjë

28 Shtator 2023, 19:29 Nga DOSJA
Nga ndeshja ndaj Manchester United, te droga dhe tentativat për
Liam Hughes në ndeshjen kundër Manchester United në 2015

ANGLI - Liam Hughes ishte duke luajtur për Kembrixhin, kur klubi anglez i nivelit të katërt u përball me Manchester United në raundin e katërt të FA Cup në 2015. Megjithatë, muaj më vonë, gjithçka ndryshoi në karrierën e 22-vjeçarit, pasi ai zhvilloi ndeshjen e parë (0-0). Sulmuesi u shtrua në spital, pasi tentoi të bënte vetëvrasje.

“Isha i bindur, se të gjithë do të ishin më mirë, nëse nuk do të isha më këtu”,- filloi ai duke shpjeguar në një intervistë për “BBC”, para se të rrëfente se shëndeti i tij mendor u përkeqësua pas një dëmtimi të rëndë në kyçin e këmbës, që e pengoi atë të luante ndeshjen e dytë në “Old Trafford” (3-0) dhe të bëhej baba për herë të dytë.

"E gjithë euforia dhe pozitiviteti që ndjeva, i cili maskoi problemet që kisha me jetën time të pakënaqur familjare në atë kohë, u zhduk. Konsumimi im i alkoolit u përkeqësua. U ndjeva i izoluar dhe shëndeti im mendor u përkeqësua deri në atë pikë sa fillova të vë në dyshim jetën time."

Ai vazhdoi: "I kërkova fizioterapistit dhe mjekëve në Kembrixh të më jepnin qetësues, sepse kyçi i këmbës po më përkeqësohej. Unë po përfitoja nga kjo. I mbajta në shtëpi derisa pata një sasi të konsiderueshme. Më kujtohet qartë përpjekja ime e parë për vetëvrasje."

Në vitin 2017, pas një eksperience 6-mujore në Skoci, ai u kthye në Angli për të luajtur për Barrow në divizionin e pestë anglez: "Fitoja rreth 1200 euro në javë, por shpenzoja midis 350 dhe 700 euro çdo javë për kokainë”,- pranoi ai. “U preva në fytyrë, i fika cigaret vetes, po ndëshkoja veten”. 

Në vitin 2019 ai u përpoq të bënte vetëvrasje përsëri, por kërkoi ndihmë dhe përfundoi duke u shtruar në një klinikë rehabilitimi: "Përfundova duke kuptuar, se mund të mos shihja të nesërmen".

Aktualisht, Liam Hughes është 31 vjeç dhe përfaqëson Worksop Town, nga niveli i shtatë anglez dhe tregon historinë e tij për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve të tjerë që po kalojnë të njëjtën situatë: "Unë shkova nga fundi i shkëmbit dhe trokita në derën e ferrit. Tani po përpiqem të bëhem një qenie njerëzore më e mirë. Unë dua që fëmijët e mi të kthejnë kokën pas dhe të thonë: 'Babai im luftoi për shëndetin mendor dhe varësinë'".

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll