Politike

Bardhi: Për momentin PD nuk ka kryetar, konflikti po shuan opozitën

I ftuar në emisionin 'Opinion' në Tv Klan, Bardhi tha se sipas vendimit të Këshillit Kombëtar, Sekretar i Përgjithshëm vijon të mbetet vetë ai dhe jo Flamur Noka apo Enkelejd Alibeaj.

21 Shtator 2023, 21:34 Nga I.A
Bardhi: Për momentin PD nuk ka kryetar, konflikti po shuan opozitën
Gazment Bardhi

TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se partia momentalisht është pa kryetar. 

“Në momentin që flasim PD nuk ka kryetar. Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar  që është institucioni më i lartë drejtues i partisë çështja e drejtimit të partisë është shtyrë për një moment tjetër”, tha ai.

I ftuar në emisionin 'Opinion' në Tv Klan, Bardhi tha se sipas vendimit të Këshillit Kombëtar, Sekretar i Përgjithshëm vijon të mbetet vetë ai dhe jo Flamur Noka apo Enkelejd Alibeaj.

“Ajo që unë kam propozuar dhe ka gjetur mirëkuptimin e shumicës dërrmuese të kolegëve ka qenë që ta nisim nga çështje që na bëjnë bashkë. Ndoshta nga çështjet që na bëjnë bashkë mund të shkojmë edhe në zgjidhje për çështje që sot duken të largëta. Sot kemi shumë kryetarë partie, shumë sekretarë të përgjithshëm, shumë nënkryetarë, i vetmi problem është që nuk kemi parti funksionale”, tha ai.

Po ashtu, Bardhi tha se nuk ka marrëveshje personale me Berishën.

Së pari dua të sqaroj që nuk ka marrëveshje timen me zotin Berisha. Ka një premtim timin që e kam bërë për herë të parë nëse i ktheheni intervistës, intervistës sime të parë si kryetar i grupit parlamentar që e kam dhënë në këtë studio. Në përgjigje të interesit tuaj kam thënë do bëj gjithçka kam unë në dorë si kryetar i grupit parlamentar që grupi parlamentar i PD të unifikojë qëndrimet dhe opozita në tërësi në parlament të jetë e unifikuar”, u shpreh ai.

Po ashtu theksoi se deputetët e PD po ndërgjegjësohen se konflikti brenda vetes po e shuan opozitën.

“Kam bindjen e plotë që secili që e do opozitën dhe do që të jetë funksionale, është ndërgjegjësuar dhe do duhet në ditët në vijim një pjesë e vogël që nuk është ndërgjegjësuar që konflikti po e shuan opozitën. Jo vetëm po shuan PD… Unë e kam kuptuar prandaj kam ardhur shpesh në këtë studio, kam bërtitur me të madhe për unifikimin”, tha Bardhi.

gazment bardhi

Sondazh

Poll