Aktualitet

Blendi Fevziu analizon “boom”-in turistik: Sezon i ngarkuar, por kemi probleme që nuk i kanë vende të botës së tretë

Por, sipas tij, vendi ka probleme infrastrukturore që nuk i kanë as vende të botës së tretë, siç është transporti publik dhe shërbim jo të mirë në strukturat e mëdha hoteliere.

18 Shtator 2023, 21:45 Nga I.A
Blendi Fevziu analizon “boom”-in turistik: Sezon i ngarkuar, por
Blendi Fevziu

TIRANË- Gazetari Blendi Fevziu ndau me publikun përvojën e kësaj vere turistike si dhe nënvizoi të mirat dhe problemet që pati vendi gjatë sezonit turistik. I ftuar në emisionin “Të Paekspozurit” në MCN Tv, Fevziu u shpreh Shqipëria ka disa avantazhe natyrore krahasuar me shumë vende të tjera të botë, ka përfituar nga çmimet e lira, kuzhina e mirë dhe mikpritja. Por, sipas tij, vendi ka probleme infrastrukturore që nuk i kanë as vende të botës së tretë, siç është transporti publik dhe shërbim jo të mirë në strukturat e mëdha hoteliere.

Pjesë nga Intervista:

Fevziu: Ky ka qenë  një sezon i ngarkuar turistik. Shifra ne nuk kemi, por të gjithë biem dakord që ky ka qenë një sezon jashtë parashikimeve tona.

Rakipi: Ju jeni një person që e keni promovuar shumë turizmin. Pse po vijnë kaq shumë njerëz?

Fevziu: Unë nuk jam ekspert, por po të jap një përgjigje që vjen nga analiza ime personale. Janë disa faktorë. I pari dhe kryesor është që Shqipëria është një vend shumë i bukur, divers dhe me destinacione shumë të afërta. Meqë kam udhëtuar në pothuajse 143 vende të botës, është shumë e vështirë që të gjesh një vend ku malin e ke 15-20 minuta nga deti, ku ke edhe bregdet ranor, edhe me gurë, edhe fusha edhe male. Pra bukuria e vendit është e para.

E dyta është cilësia e ushqimit që nënvizohet nga të gjithë të huajt, e përbërësve të ushqimit, jo ndonjë sofistikim i madh.

Problemi i tretë është mikpritja, pra shqiptarët që kur një i huaj i pyet për rrugën, lë çdo punë dhe i tregon turistit rrugën. Kjo nuk ndodh më në asnjë vend të Perëndimit.

Dhe e fundit dhe më kryesorja, pas vitit 2020 Evropa ka një rritje të frikshme të çmimeve të hoteleve dhe shërbimeve. Shqipëria i ka çmimet rreth 50 për qind më të lira se Gjermania, që nuk është vend i shtrenjtë, si Zvicra, Italia, Spanja. Çmimet kanë qenë jetike për Shqipërinë. Por Shqipëria nuk ka qenë e përgatitur dhe ka probleme që as një vend i botës së tretë nuk i ka. Një turist që vjen vetëm nuk e di se si do niset në jug të vendit, apo veri, me çfarë shkohet, ku niset autobuzi, në çfarë orari. Nuk ka trena. Kaosi që ne kemi, sidomos në transportin urban është një kosto e madhe për vendin.

Pjesa më e madhe e turistëve, është ajo e turistëve të lirë që kanë ikur nga rritja e çmimeve në vendet e tjera evropiane të Mesdheut.

Rakipi: Çfarë i mungon Shqipërisë?

Fevziu: Ne na gjeti të papërgatitur ky fluks vere. Shqipëria ka një turizëm të mirë te bujtinat familjare. Fatkeqësia e Shqipërisë është shërbimi në strukturat e mëdha turistike dhe nëse do vijë ky bum turistik ti nuk e përballon me bujtina me 4 dhoma.

blendi fevziu

Sondazh

Poll