Sport

Fati i keq trokiti sërish në derën e Neuerit: Portieri i Bayern pëson një tjetër dëmtim!

Zbulimi i bërë nga trajneri Tuchel në prag të ndeshjes me Bayer Lekerkusen

14 Shtator 2023, 22:00 Nga DOSJA

Fati i keq trokiti sërish në derën e Neuerit: Portieri i Bayern

GJERMANI - Ende duke u rikuperuar nga fraktura e këmbës së djathtë në fund të vitit 2022, Manuel Neuer pësoi edhe një herë një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushës edhe për një kohë. 

Zbulimi është bërë nga Thomas Tuchel, trajneri i Bayern Munichut, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së kësaj të premteje me Bayer Leverkusen, në kuadër të javës së 4-të të Bundesligës. 

"Manu (Neuer) ishte shumë afër kthimit, por ai kishte një problem me pulpat e tij. Jo te këmba e dëmtuar, por te tjetra. Ai ende është duke vrapuar dhe, tani për tani, ne jemi të kujdesshëm. Plani është që të rikthehet në stërvitjen e portierëve javën e ardhshme dhe javën në vijim, do të bëjë një tjetër përpjekje për t’u stërvitur me ekipin”,- tha trajneri i bavarezëve.

Më tej, Tuchel jep garanci: “Si ai dhe ne jemi shumë optimistë, por duhet të presim. Shpresojmë të shohim që ai të kthehet në fushë para pushimit të ardhshëm ndërkombëtar (në mes të tetorit)."

Kujtojmë se 37-vjeçari gjerman ka mbetur jashtë fushës që nga dhjetori i kaluar, pasi ka thyer këmbën pas një rënieje gjatë skijimit. Portieri ishte rikthyer në stërvitje në fund të gushtit dhe pritej të ishte në pankinë për ndeshjen e nesërme, por duhet të presë edhe pak para se të rikthehet në aksion.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll