Sport

Sylvinho nuk ka shumë dilema, Shqipëria zbret në fushë si me Ishujt Faroe!

Pavarësisht shumë sugjerimeve të reja në ditët e fundit rezulton se tekniku brazilian do të hedhë në fushën e lojës të njëjtët lojtarë si në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe. Sfidë e fituar me rezultatin 3-1 nga Shqipëria.

7 Shtator 2023, 12:31 Nga DOSJA
Sylvinho nuk ka shumë dilema, Shqipëria zbret në fushë si me

PRAGE - Kur kanë mbetur disa orë nga starti i ndeshjes mes Çekisë dhe Shqipërisë, rritet tensioni i takimit që është kaq i rëndësishëm për kuqezinjtë. Shqipëria luan një pjesë të mirë të fatit të saj në Pragë sonte dhe në Tiranë ndaj Polonise tri ditë më vonë, çka ë bën edhe më të rëndësishme transfertën çeke.

E kanë të qartë këtë kuqezinjtë e Sylvinhos, që janë përgatitur maksimalisht për të bërë një performancë dinjitoze në “Fortuna Arena”. Futbollistët e Shqipërisë kryen stërvitjen e fundit në prag të takimit ndaj kryesuesve të grupit E mbërmjen e djeshme, në ambientet e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja, “Fortuna Arena”.

Nga ajo që është vënë re këto ditë grumbullimi dhe skemat e ndryshme që ka përdorur trajneri Sylvinho për përballjen ndaj Çekisë, duket se bëhet fjalë për një formacion 4-3-3. Dhe pavarësisht shumë sugjerimeve të reja në ditët e fundit rezulton se tekniku brazilian do të hedhë në fushën e lojës të njëjtët lojtarë si në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe. Sfidë e fituar me rezultatin 3-1 nga Shqipëria.

Në portë pritet që Etrit Berisha ta nisë nga minuta e parë. 34-vjecari vjen pas një momenti të mirë, pasi të dielën luajti si titullar me Empolin ndaj Juventusit. Ku priti edhe një penallti. Në repartin e mbrojtjes do të jenë të vendosur, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti dhe Mario Mitaj.

Mesfusha do t’i besohet Ylber Ramadanit, i cili ka bërë paraqitje mjaft të mira me Leccen. Si dhe Kristjan Asllanit dhe Nedim Bajramit. Ndërkohë që edhe sulmi do të jetë i njëjtë si në Torshavn. Me Taulant Seferin dhe Jasir Asanin nga krahët dhe Sokol Cikalleshin në qendër si pikë referimi.

Dilema e madhe për Sylvinhon mbetet krahu i majtë i sulmit. Pasi Myrto Uzuni është në balotazh me Seferin për vendin e titullarit. Gjithsesi situata do të vlerësohet deri në fund nga trajneri. Dhe më pas do të vendoset se cili nga lojtarët do të startojë nga minuta e parë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll