Bota

Poloni/ Zgjedhjet parlamentare më 15 tetor, çfarë tregojnë sondazhet

Zgjedhjet do të përcaktojnë marrëdhëniet e Varshavës me Bashkimin Evropian, në një kohë kur Polonia përballet me tensione në rritje në kufirin e saj lindor.

8 Gusht 2023, 18:42 Nga m.s
Poloni/ Zgjedhjet parlamentare më 15 tetor, çfarë tregojnë
Andrzej Duda

POLONI- Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në Poloni më 15 tetor, njoftoi sot presidenti Andrzej Duda. Zgjedhjet do të përcaktojnë marrëdhëniet e Varshavës me Bashkimin Evropian, në një kohë kur Polonia përballet me tensione në rritje në kufirin e saj lindor, shkruajnë mediat e huaja. 

Rezultati i zgjedhjeve në shtetin më të madh lindor të bllokut, ka të ngjarë të ndikojë në perspektivën e ngrohjes së marrëdhënieve midis Varshavës dhe Brukselit, të cilat janë tensionuar nga mosmarrëveshjet mbi çështje të tilla si sundimi i ligjit dhe imigracioni.

Zgjedhjet do të vendosin gjithashtu se cila parti do të udhëheqë vendin, një anëtar i NATO-s dhe një aleat kyç i Ukrainës- dhe do ta çojë Poloninë në një periudhë paqëndrueshmërie në rritje në kufirin e saj lindor, mes shqetësimeve për praninë e mercenarëve Wagner në Bjellorusi dhe një rritje të numrit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin ilegalisht.

“Kam vendosur të mandatoj mbajtjen e këtyre zgjedhjeve më 15 tetor 2023”, tha Duda për Platformën X. “E ardhmja e Polonisë varet nga të gjithë ne! Ushtroni të drejtat tuaja!”

Sondazhet tregojnë se partia nacionaliste në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS), në pushtet që nga viti 2015, mban një epërsi të ngushtë ndaj partisë më të madhe opozitare, Platformës Liberale Qytetare (PO). Megjithatë, edhe nëse fituesi i zgjedhjeve të 2015 dhe 2019 arrin një fitore të paprecedentë të tretë radhazi në zgjedhje, ai nuk ka gjasa të sigurojë një shumicë në Parlament, duke lënë të hapur mundësinë e formimit të një qeverie koalicioni me partinë e ekstremit të djathtë Konfederatë.

PiS deri më tani e ka përqendruar fushatën e tij në rritjen e nivelit të ndihmës financiare, si pjesë e politikës së saj për përfitimin e fëmijëve, ndërsa deklaroi se do të mbajë një qëndrim të ashpër për sigurinë kufitare, dhe duke kritikuar atë që thotë se është qasje servile e PO ndaj marrëdhënieve të vendit me BE-në dhe Gjermanisë.

Partia planifikon të mbajë një referendum mbi marrëveshjen e BE-së për migracionin, të cilën qeveria aktuale polake e kundërshton. Në fakt, referendumi mund të mbahet në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare. PO thekson se largimi i PiS nga pushteti është i nevojshëm për të zhbllokuar fondet e BE-së të ngrira nga mosmarrëveshjet mbi sundimin e ligjit, dhe për të kthyer ndryshimet në gjyqësor dhe median shtetërore që kritikët thonë se kanë gërryer standardet demokratike në vend.

poloni zgjedhjet andrzej duda

Sondazh

Poll