Sport

Edhe një kuqezi jashtë Shqipërisë, Andi Hadroj me valixhe gati drejt Turqisë...

Futbollisti i Partizanit, Andi Hadroj, pritet që të vijojë karrierën e tij te skuadra turke e Gaziantepit.

31 Korrik 2023, 18:29 Nga DOSJA

Edhe një kuqezi jashtë Shqipërisë, Andi Hadroj me valixhe

TIRANE - Mediat turke kanë raportuar këtë të hënë, se mesfushori 24-vjeçari i Partizanit, i cili është grumbulluar dhe nga kombëtarja e Shqipërisë, ka arritur akordin me klubin turk. Raportohet se bëhet fjalë për një kontratë 3-vjeçare dhe pagë mujore prej 30 mijë eurosh.

Nga ana tjetër, përflitet se Partizani ka marrë një ofertë prej 500 mijë eurosh për kartonin e Hadrojit dhe pritet që klubi i kuq t’i hapë udhë transferimit. Gjasat janë që sfida e nesërme e kthimit të kualifikueseve të Conference League, mes Atletic D’Escaldes të jetë e fundit për mesfushorin, i cili do të nisë një aventurë të re.

Të kuqtë kanë qenë një nga klubet më të suksesshme në vitet e fundit për transferimet e lojtarëve, pasi në janar shitën për 1.5 mln euro Xhuljano Skukën tek Metz në Francë, duke regjistruar shifrën më të lartë të kampionati shqiptar.

Andi Hadroj ka luajtur 64 ndeshje me “demat”, ndërkohë që në të shkuarën ka qenë pjesë e Laçit dhe Bylisit. Lojtari ka gjetur dhe besimin e trajnerit të kombëtares Sylvinho, që i ka bërë vend në skuadrën kuqezi në grumbullimet e fundit. Një eksperiencë e re në Turqi do të ndikonte akoma dhe më tepër në përmirësimin e tij.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll