Politike

Arrestimi i ‘shtabit elektoral’ i Benet Becit/Spahia: Veprimi i SPAK-ut i vonuar, hiq dorë nga pushteti që nuk të takon

Spahia, me anë të një postimi në rrjetet sociale thotë se vendimi i SPAK-ut, për të vënë para drejtësisë një strukturë të rrezikshme kriminale me lidhje të forta shtetërore dhe qeveritare, është i vonuar.

28 Korrik 2023, 08:27 Nga DOSJA
Arrestimi i ‘shtabit elektoral’ i Benet Becit/Spahia: Veprimi i
Bardh Spahia dhe Benet Beci

TIRANË- Ish-kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, reagoi pas raportimeve se ‘shtabi elektoral’ i Benet Benecit ka rënë në pranga. SPAK organizoi një operacion të shtrirë në disa qytete të vendit, ku disa nga personazhet e arrestuar bëhej fjalë se ishin pjesë e ‘shtabit’ të fitores së Benet Becit në zgjedhjet e 14 majit në Shkodër. Spahia, me anë të një postimi në rrjetet sociale thotë se vendimi i SPAK-ut, për të vënë para drejtësisë një strukturë të rrezikshme kriminale me lidhje të forta shtetërore dhe qeveritare, është i vonuar. 

Ai ka një thirrje për Becin, të cilit i kërkon të heqë dorë nga pushteti që nuk i takon. Spahia shton më tej se Shkodra nuk e meriton dhunimin nga bandat, që sipas tij, Beci dhe Rama i përdorën për të marrë pushtetin.

Postimi i plotë

Vendimi i SPAK-ut për të vënë para drejtësisë një strukturë të rrezikshme kriminale me lidhje të forta shtetërore dhe qeveritare, është një veprim i vonuar. Kreu jozyrtar i shtabit elektoral të Benet Becit rezulton të jetë një nga të arrestuarit e SPAK-ut, i cili gjatë fushatës në Shkodër, drejtoi operacionin e blerjes, manipulimit dhe intimidimit të qytetarëve për llogari dhe me porosi të Edi Ramës dhe Benet Becit. Asgjë pozitive nuk mund t’i vijë Shkodrës nga një ekip i tillë politiko-kriminal, që në bazë të tij ka porositë për vrasje, për blerje votash dhe vjedhje të pasurisë kombëtare. I bëj thirrje SPAK-ut të mos kufizohet vetëm tek hetimi i këtyre veprave të rënda penale. Përgjimet e SPAK-ut janë një thesar që besohet se dokumentojnë masakrën elektorale në Shkodër dhe mënyrën kriminale me të cilën Edi Rama mban pushtetin. SPAK ka detyrimin dhe duhet ta bëjë këtë shërbim historik për vendin! Kam një thirrje dhe për Benet Becin! Të mos fshihet më pas Edi Ramës! Shkodra nuk e meriton dhunimin nga bandat që ti dhe Edi Rama përdorët për të marrë pushtetin. Sot është dita të ndjejë peshën e turpit por edhe atë të ligjit, të heqë dorë nga pushteti që nuk i takon dhe që ia dhuruan bashkëpuntorët e ngushtë të rënë sot në duart e drejtësisë!

Mbrëmjen e djeshme, SPAK organizoi një operacion ku ranë në pranga biznesmeni Pëllumb Gjoka, drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Oltion Bistri dhe kryeprokurori i Kukësit, Xhevahir Lita. U arrestuan edhe Edmond Preka dhe Ardit Hasangaj, ish-punonjës policie të përjashtuar në vitin 2022.

Ka raportime të pakonfirmuara se në kërkim është shpallur edhe Behar Bajri. Thonë se është arrestuar Astmer Bilali, anëtar i bandës së Bajrëve.

Sondazh

Poll