Aktualitet

Fundjava shënon një tjetër rekord temperaturash të larta, meteorologia Porja: Deri në datën 27 korrik do kemi ditë përvëluese, shtatori do jetë si vera

Meteorologia Lajda Porja, ka deklaruar se kjo valë, që mund të konsiderohet ndër valët më të egra dhe më të gjatë të shënuara në histori, do të qëndrojë deri në fund të korrikut.

20 Korrik 2023, 15:20 Nga DOSJA
Fundjava shënon një tjetër rekord temperaturash të larta,
foto ilustruese

TIRANË- Fundjava do të shënojë tjetër rekord temperatush të larta. Meteorologia Lajda Porja, ka deklaruar se kjo valë, që mund të konsiderohet ndër valët më të egra dhe më të gjatë të shënuara në histori, do të qëndrojë deri në fund të korrikut. 

“Do të thoja që kjo valë, që mund të konsiderohet ndër valët më të egra dhe më të gjatë të shënuara në histori, do të qëndrojë deri në fundin e korrikut. Pra deri nga data 27 korrik, mbetemi nën ndikimin e kësaj vale, e cila është mirë-stacionuar tashmë prej shumë kohësh në të gjithë Evropën Jugore. Java tjetër do të jetë sërish me temperatura të larta. Pra, parashikohet që i nxehti të mbetet prezente deri në mesin e javës tjetër, ku do të kemi akoma ditë më të nxehta. Do të thoja që e shtuna do të jetë një ditë shumë e nxehtë, sepse në këtë fundjavë ne presim kulmin e këtyre temperaturave dhe të shtunën do të regjistrohet vlera më e lartë e kësaj vale, e cila do të jetë afërsisht 43 gradë celsius, kryesisht do ndihet jo më shumë se 43.2 gradë në Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, që do të jenë zonat më të nxehta”, tha ajo për "Ora News". 

Në bregdet do kemi temperaturat 36 deri në 38 gradë celsius. “Përsa i përket bregdetit, do të jetë në kushte shumë ideale. E shtuna do të jetë më e nxehtë, ndërsa e diela pak më e freskët me rreth 2 gradë më pak. Mëgjithatë bregdeti është në temperaturat 36 deri në 38 gradë celsius”.

Porja shton se gushti pritet të jetë disi më i freskët se muaji korrik. Por edhe shtatori e tetori do të jetë stinë vere, pra frekuentimi i plazhit do të vijojë më gjatë nga më parë.

“Do të kemi një spostim të verës këtë vit drejt shtatorit. Mungesa e temperaturave të larta dhe situata e freskët gjatë qershorit do të zëvendësohet në shtator, pasi edhe vera do të marrë disa ditë nga shtatori, pasi parashikohet që të ketë temperatura të ngjashme me ato të verës. Madje parashikohet që deri nga fundi i këtij viti të regjistrojmë temperatura më të larta se ç’jemi mësuar më parë”.

Sondazh

Poll