Aktualitet

Afera e inceneratorëve, Klodian Zoto kërkon pafajësi: Nuk guxoj të them se klienti im është burrë i mirë, por procesi po paragjykohet!

Përmes avokatit të tij, Zoto, i kërkoi pafajësi Gjykatës së Posaçme për akuzat kundër tij në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

20 Korrik 2023, 13:04 Nga k.m.
Afera e inceneratorëve, Klodian Zoto kërkon pafajësi: Nuk guxoj
Klodian Zoto dhe Arben Ahmetaj

TIRANË- Biznesmeni i inceneratorëve, Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, ka kërkuar pafajësinë nga arratia, përmes avokatit të tij në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përmes avokatit të tij, Zoto, i kërkoi pafajësi Gjykatës së Posaçme për akuzat kundër tij në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Fillimisht avokati Ardian Leka tha se nuk besonte në një gjykim të paanshëm për klientin e tij.

"Nuk besoj në gjykimin e paanëshëm të klientit tim. Përfundimisht nuk guxoj të them se Klodian Zoto është burrë i mirë, gjyqi ndaj tij është bërë publikisht, ky proces është i paragjykuar. Nuk kam ndonjë shpresë për një proces të rregullt,"-tha avokati, Ardian Leka. 

Në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes për djegësin e Elbasanit, Leka foli edhe për heqjen e mandatit të atij që SPAK e quan mikun e klientit të tij, Arben Ahmetajt.

"U bë një gjyq mediatik, politik dhe publik me rastin e një ish-ministri apo deputeti. Pak ditë më parë Kuvendi për të njëjtat prova, të njëjtët të akuzuar me të njëjtët emra, vendosi heqjen e imunitetit. Fajësia është shpallur publikisht dhe mediatikisht, qytetarët e kanë mësuar tashmë. Duam të dimë; nëse e ka imponuar ministrin dhe si e ka bërë. Komisioni mund të ketë marrë vendim të ligjshëm, dhe këtu akuzohen anëtarët se "kanë menduar gabim". Nëse është kështu, komisioni është hallka e fundit, në fund vendos Këshilli i Ministrave. Edhe ata paskën menduar gabim, por pse s'janë këtu atëherë?,"-shtoi ai.  

Biznesmeni Klodian Zoto, është i shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e inceneratorëve. Nga të pandehurit e inceneratorit të Elbasanit, mbetet për të bërë mbrojtjen Mirel Mërtiri, bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja dhe kompania Integrated Technology Services. Konkluzionet e tyre u lanë për të enjten e ardhshme në orën 10:00. Ndërkohë, këtë të enjte, bënë mbrojtjen edhe Pëllumb Abeshi, Bardhyl Çabiri dhe Serafin Papa të cilët kërkuan pafajësi. Më herët konkluzionet i kanë lexuar Lefter Koka, Alqi Bllako e Jonida Zeqo.

klodian zoto arben ahmetaj

Sondazh

Poll