Aktualitet

‘Pengmarrja’ e diplomave të Mjekësisë, Ramosaçaj: Sigurojmë punësimin, studenti: Po paguajmë tarifa të larta

Një nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Zino Veleshja, i ka kërkuar ‘llogari’ Zv Ministres së Shëndetësisë, Entela Ramosaçaj, në lidhje me ‘pengmarrjen’ e diplomave. Ai shprehu haptazi shqetësimin se projektligji i qeverisë që të punojnë 5 vite në Shqipëri është mjaft imponues.

19 Korrik 2023, 21:38 Nga DOSJA
‘Pengmarrja’ e diplomave të Mjekësisë,
emisioni Now

TIRANË- Një nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Zino Veleshja, i ka kërkuar ‘llogari’ Zv Ministres së Shëndetësisë, Entela Ramosaçaj, në lidhje me ‘pengmarrjen’ e diplomave. Ai shprehu haptazi shqetësimin në një intervistë për “Now me Erla Mëhillin”, se projektligji i qeverisë që të punojnë 5 vite në Shqipëri është mjaft imponues. Nga ana tjetër, Zv Ministrja e Shëndetësisë, Entela Ramosaçaj, e cila ka sqaruar procedurën, tha se nuk bëhet fjalë për një ligj detyrues, por për një ligj që ka prioritet punësimin e studentëve.

Entela Ramosaçaj, Zv Ministre e Shëndetësisë - Nuk është një ligj detyrues, por një ligj që ka prioritet punësimin e studentëve, dhe i lind e drejta për punësim. Ti sigurosh punësimin studentëve, është ajo çfarë e përshkon këtë ligj. Shumë njerëz kanë pika të errëta; ideja është që studentët që janë në vitin e 2 deri në vitin e 4, duhet të punojnë në sistem, ata që hidhen në vitin e 5 dhe të 6, punojnë dy vite në sistem, dhe ata që futen në vitin e parë kanë mundësi të punojnë 5 vite pasi përfundojnë 6 vite të studimeve. Këto detyrime për të punësuar është i tillë, kjo është për ata që do të jenë pjesë e kësaj marrëveshje. Nëse studenti nuk pranon të jetë pjesë e marrëveshjes, i lind e drejta për të paguar tarifën. Gjatë viteve të punësimit, studenti ka të drejtë të specializohet, nëse mbron studimet afatgjatë, detyrimi i quhet i likuiduar, i shlyer, nëse shteti nuk e punoson brenda vendit, studenti ka të drejtë të tërheqë dioplomën.

Zino Veleshja, student - Ky ligj që është detyrues, nuk mjaftojnë 8 klasë për ta kuptuar. Detyrimi është kur të vendoset një masë kufizuese që ushtron atë të drejtë apo jo. Masa kufizuese për studentët që të jetë një tarifë 6500 eurosh në vit, asnjë fakultet publik në Republikën e Shqipërisë nuk ka një tarifë me të lartë se kjo. Ta kapim që nga themeli, duket sikur me një projektligj 8 faqesh u zgjidh ky problem shëndetësor. Kush e vendos tarifën të barabartë me koston reale? Rektori i Fakultetit të Mjekësisë ka thënë një kosto 3 mijë euro në vit për studentët. Në relacion thuhet se Universiteti i Mjekësisë, se kosto vjetore është 678 mijë në vit.

Sondazh

Poll