Politike

Diplomë “peng” për Mjekësinë, studentët kërkesë Nikollës: Duam të dëgjohemi në Parlament!

Në kërkesën e tyre drejtuar kryeparlamentares, Lindita Nikolla, studentët thonë se si palë interesi është e rëndësishme që të dëgjohen në Parlament, para procesit të votimit.

19 Korrik 2023, 16:16 Nga DOSJA
Diplomë “peng” për Mjekësinë, studentët
Lindita Nikolla

TIRANE- Studentët e Mjekësisë, kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë që zëri i tyre të dëgjohet edhe në Parlament. Teksa nesër në seancën e fundit të sesionit parlamentar do votohet projektligji që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri, mjekët e rinj kanë bërë lëvizjen e fundit. 

Në kërkesën e tyre drejtuar kryeparlamentares, Lindita Nikolla, studentët thonë se si palë interesi është e rëndësishme që të dëgjohen në Parlament, para procesit të votimit. Studentët shprehen se janë dëgjuar në dy komisione, konkretisht: te Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Si palë interesi kërkojnë nesër të përfshihen në rendin e ditës, përpara procesit të votimit për miratimin e ligjit.

“Tiranë më 19.07.2023

Lënda: Kërkesë

Drejtuar: Kryetares së Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla

Për dijeni: Zëvënëdëskryetarëve  Z. Agron Gjekmarkaj dhe  Znj. Ermonela Felaj

Të nderuar,

Studentët e mjekësisë shprehin hapur kërkesën për t’u degjuar në parlament.

Jemi dëgjuar në dy komisione, te Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komsioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Si palë interesi kërkojmë që ditën e nesërme datë 20.07.2023 të përfshihemi në rendin e ditës, përpara procesit të votimit për miratimin e ligjit.

Duke shpresuar që kërkesa të merret parasysh, jemi në pritje të përgjigjes tuaj.

Me respekt                                                          

Përfaqësuesit e studentëve të mjekësisë", thuhet në kërkesën e tyre.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka komentuar projektligjin përmes së cilit studentëve të Mjekësisë do iu mbahet diploma 5 vite, në mënyrë që të shërbejnë për vendin tonë. Ajo tha se përmes këtij projektligji, synohet të rritet numri i mjekëve në sistemin tonë shëndetësor, si edhe të parandalohet fenomeni i ikjes së tyre.  

Sondazh

Poll