Politike

Forcat e Armatosura shqiptare/ Peleshi në Britaninë e Madhe, Sekretari i Mbrojtjes shpreh gatishmërinë për bashkëpunimin në kuadër të Aleancës

Sekretari Wallace ka shprehur gatishmërinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të Aleancës, por dhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

17 Korrik 2023, 19:04 Nga m.s
Forcat e Armatosura shqiptare/ Peleshi në Britaninë e Madhe,
Ben Wallace dhe Niko Peleshi

BRITANI- Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, po mban një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe. Ai është pritur nga Sekretari Shtetit për Mbrojtjen, Ben Wallace. Në fjalën e tij, Peleshi i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Ministria e Mbrojtjes së Britanisë ka dhënë për Forcat e Armatosura shqiptare. Në kundërpërgjigje të reagimit të Peleshit, Sekretari Wallace ka shprehur gatishmërinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të Aleancës, por dhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka zhvilluar një tjetër takim, ku është pritur nga Ministrja e Shtetit, Baronesha Goldie Dl. Të dy ministrat nënshkruan Deklaratën e Përbashkët mbi Rritjen e Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, dokument i cili synon përforcimin e bashkëpunimit aktual, identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit për të përballuar sfidat si dhe për t’iu përshtatur risive të reja që sjell koha dhe mjedisi gjithnjë e më shumë konkurrues dhe kompleks. Si dy vende anëtare të NATO-s, ministrat rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të vijuar kontributin në sigurinë ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe rritjen e angazhimit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe krahut jugor të NATO-s.

Peleshi u takua edhe me disa anëtarë të grupit parlamentar shumëpartiak për Shqipërinë, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij takimi, Peleshi theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është gjithmonë e më shumë e orientuar drejt fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Peleshi u prit në një takim të veçantë nga i Dërguari i Posaçëm i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, një mik i hershëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Gjatë këtij takimi u diskuan çështje me interes për zhvillimin, sigurinë, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, rolin e Shqipërisë në rajon, ku një vëmendje të veçantë iu kushtua çështjes së Kosovës.

niko peleshi

Sondazh

Poll