Bota

BE zbardh marrëveshjen për shtensionimin e situatës në veri, THEKSON pikën që Qeveria e Kosovës nuk e përmendi

Burime zyrtare nga Brukseli për Express thanë se marrëveshja e detyron Kosovën edhe që të mos "ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën".

12 Korrik 2023, 11:08 Nga a.l
BE zbardh marrëveshjen për shtensionimin e situatës në veri,
Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

KOSOVË- Në bazë të një marrëveshjeje të arritur ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, situata në veri parashikohet të shtensionohet brenda një afati dy javor. Një ditë pas dakordimit me BE-në për uljen e tensioneve, Qeveria e Kosovës ka zbardhur 4 pikat për shtensionim të situatës.

Megjithatë, mediat e Kosovës raportojnë se në pikat e marrëveshjes nuk është përfshirë një detaj. Burime zyrtare nga Brukseli për Express thanë se marrëveshja e detyron Kosovën edhe që të mos "ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën".

Zyrtarja për shtyp e BE-së, Zoi Muletier tha se Bislimi dhe Petkoviç u pajtuan për hapat e parë që duhet të bëjë Kosova për shtensionimin e situatës, duke përmendur edhe një element që Qeveria nuk e tha. “Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së 3 qershorit të BE-së”, tha Muletier.

Ata ranë dakord për hapat e parë prioritarë të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha”, shtoi ajo. Fushat për të cilat dakorduan Bislimi e Lajçak përfshijnë “zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale”. Gjithashtu, siç i tha Muletier, Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”. Po ashtu, Kosova duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme lokale.

“Emisari i ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme për t’i vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë që zbatimi i plotë i Marrëveshjes të fillojë pa vonesë të mëtejshme”, tha Muletier. 

Kosova ka bërë një hap pas dhe ka rënë dakord me kushtet e BE-së për situatën në veri. Qeveria do të zvogëlojë praninë policore në veri dhe do mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën. Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”. Ky vendim, u mor pas takimit joformal që u mbajt në Bratislavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll