Sport

Premiera europiane, Struga reziston me barazim pa gola në transfertë!

Në Vilnius u mbyll me shifrat 0-0, një rezultat i mirë për Kampionët e Maqedonisë dhe që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit një javë më pas.

11 Korrik 2023, 22:57 Nga DOSJA
Premiera europiane, Struga reziston me barazim pa gola në transfertë!

MAQEDONI E VERIUT - Struga e mbylli në barazim 0-0 ndeshjen e parë ndaj Zalgiris. Skuadra e drejtuar nga tekniku Shpëtim Duro që debutoi në Champions League, mori një rezultat shpresëdhënës për ndeshjen e kthimit një javë më pas, teksa gjithçka është e hapur me Strugën që do të tentojë kualifikimin në raundin e dytë të kompeticionit më të rëndësishëm europian.

Pjesa e parë nisi mirë për Strugën me miqtë që provuan në minutën e katërt me anë të Ibraimit që mori përsipër një goditje dënimi. Por, goditja e kapitenit u devijua në këndore duke shmangur rrezikun në portën kundërshtare.

Kundërshtarët u përgjigjën me dy sulme të njëpasnjëshme, por sërish portieri Kjosevski u shfaq i sigurt. Ndërkohë, fraksioni i dytë nisi më mirë për Zalgiris që rrezikoi të shënonte në të 48-tën, por sërish portieri i Strugës u konfirmua i pakalueshëm.

Në vijim, Struga tentoi me Ibrahimin, por sulmuesi nuk kishte saktësinë e duhur ndërsa deri në fund rezultati nuk ndryshoi, pavarësisht disa mundësive të vendasve. Kështu, në Vilnius u mbyll me shifrat 0-0, një rezultat i mirë për Kampionët e Maqedonisë dhe që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit një javë më pas.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll