Bota

Nis samiti i liderëve të BE në Bruksel, fokusi i diskutimeve: Kriza Serbi-Kosovë

Në prag të nisjes së këtij takimi disa liderë evropianë kanë përsëritur thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet.

29 Qershor 2023, 17:03 Nga f.i
Nis samiti i liderëve të BE në Bruksel, fokusi i diskutimeve:
foto ilustruese

BRUKSEL- Liderët e Bashkimit Evropian në samitin e fundit nën Presidencën suedeze të Këshillit Evropian që ka nisur në Bruksel, do të diskutojnë mes tjerash edhe për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat po vazhdojnë.

Në prag të nisjes së këtij takimi disa liderë evropianë kanë përsëritur thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet.

Samiti ka filluar me urimet drejtuar Kroacisë, e cila shënon 10-vjetorin e anëtarësimit në BE dhe mbetet akoma vendi më i ri anëtar i saj. Në këtë përvjetor, sikur edhe në përvjetorin e 20-të të samitit të Selanikut ku u dha premtimi për perspektivë evropiane të rajonit, do të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE.

“Duke rikujtuar Deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor të 21 qershorit 2003, dhe konkluzionet tjera të mëhershme, në veçanti ato të 23 dhe 24 qershorit 2022, Këshilli Evropian përsërit mbështetjen e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në tekstin e draftit të konkluzioneve, të cilat do të miratohen në këtë takim.

Këshilli Evropian do të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt, si dhe Aneksit për të cilin palët ishin pajtuar në takimin e Ohrit.

samiti ne bruksel

Sondazh

Poll