Bota

'Bisedime për tërheqjen e njësive speciale'/ Serbia propozon planin me 4 pika për uljen e tensioneve, 3 kërkesat e BE-së për Kurtin e Vuçiçin

Po ashtu më herët, kryeministri Albin Kurti paraqiti një plan në përbërje prej gjithsej pesë pikave, të cilën ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

26 Qershor 2023, 07:38 Nga a.l
'Bisedime për tërheqjen e njësive speciale'/ Serbia
Foto ilustruese

KOSOVË- Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç njëherësh edhe kryetar i Partisë Përparimtare Serbe ka propozuar një plan me 4 pika për uljen e tensioneve në veri të Kosovës të banuar me serbë etnikë. Në një postim në rrjete sociale Millosh Vuçeviç, propozon bisedime për arrestimet e paligjshme, për tërheqjen e njësive speciale, për themelimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serne dhe për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale. 

“Duhet të ketë bisedime për arrestimet e paligjshme. Duhet të ketë bisedime për tërheqjen e njësive speciale. Duhet të ketë bisedime për themelimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe dhe të flasim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale. Për mendimin tim, këto janë katër pikat që duhet të jenë bazamenti i zgjidhjes së kësaj situate, nëse me të vërtetë duam të lëvizim në drejtimin e shtensionimit”, ka thënë ndër të tjera Vuçeviç, ndërsa ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për siç tha “rrezikim të sigurisë së Serbisë”.

Po ashtu më herët, kryeministri Albin Kurti paraqiti një plan në përbërje prej gjithsej pesë pikave, të cilën ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, tërheqja e “milicisë fashiste”, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhje lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog janë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti.

Ndërkaq, qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.

Të njëjtën ditë, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje lidhur me takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Lajçak deklaroi se de-përshkallëzimi i situatës, zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit, janë tri kërkesat e Bashkimit Evropian të cilat u janë prezantuar Kurtit dhe Vuçiçit, me 22 qershor në Bruksel. Pas këtij takimi, emisari i BE-së ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë vizitës në SHBA, ai tha se ka takuar zyrtarë të lartë amerikanë, dhe ua ka prezantuar të gjitha detajet e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll