Bota

Anulimi i mbledhjeve të dy qeverive, reagon Kosova zyrtare: Vendim i njëanshëm nga Rama, qytetarët janë ata që po humbin

Po ashtu ai ka theksuar se kërkesa e Ramës për mbledhje të veçantë mund të mbahej një ditë tjetër.

13 Qershor 2023, 21:43 Nga I.A
Anulimi i mbledhjeve të dy qeverive, reagon Kosova zyrtare: Vendim i
Perparim Kryeziu

KOSOVË- Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka komentuar vendimin e Edi Ramës për të anuluar mbledhjen e dy qeverive. Gjatë një deklarate për mediat, Kryeziu ka deklaruar se ky ishte një vendim i njëanshëm nga Rama dhe se kjo është hera e parë që një mbledhje e përbashkët anulohet papritur. Po ashtu ai ka theksuar se kërkesa e Ramës për mbledhje të veçantë mund të mbahej një ditë tjetër.

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, tha Kryeziu.

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme disa orë para mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë mori vendimin për ta anuluar këtë mbledhje, pasi sipas tij nuk mund që të bëjnë sikur gjithçka është në rregull në Kosovë. Rama theksoi se i kërkoi Kurtit që të ndryshonin planin për mbledhjen dhe të diskutonin mbi situatën në veri, gjë që Kurti, sipas tij, e kundërshtoi. 

perparim kryeziu tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll