Aktualitet

I shpallur në kërkim për vrasje për hakmarrje në Gjermani në 2017, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë! Në makinë iu gjet kokainë (EMRI)

Po ashtu, Alidon Marqeshit, Policia e Shtetit i gjeti dje një sasi kokaine gjatë një kontrolli rutinë në mjetin e tij tip “Benz”.

12 Qershor 2023, 13:20 Nga k.m.
I shpallur në kërkim për vrasje për hakmarrje në
Alidon Marqeshi

TIRANË- Arrestohet Alidon Marqeshi. Sot, 34-vjeçari është vënë në pranga nga policia e Tiranës mbrëmjen e djeshme, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për vrasje. Po ashtu, Alidon Marqeshit, Policia e Shtetit i gjeti dje një sasi kokaine gjatë një kontrolli rutinë në mjetin e tij tip “Benz”. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e ULM/Gjermani, e cila ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprës penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.

Në prill të vitit 2017, 19-vjeçari shqiptar Xhoi Musaj u vra në bregun e një liqeni në qytetin e Ulmit në Gjermani dhe trupi i tij u hodh në ujë. Pas hetimeve të autoriteteve gjermane rezultoi se vrasja ishte kryer për gjakmarrje për një ngjarje të ndodhur vite më parë në Shqipëri. Një 47-vjeçar dhe Alidon Marqeshi që u arrestua me lëndë narkotike në Tiranë, donin të hakmerreshin për vdekjen e një njeriu të vrarë në vitin 2000 në Elbasan, 17 vite para se të kryhej vrasja në Gjermani. Ndaj dhe e joshën viktimën në prill 2017 për ta dërguar deri tek liqeni ku më pas e goditën 8 herë pas koke me çekiç, duke e lënë të vdekur në vend. Viktima Xhoi Musaj ishte nipi i vrasësit të vitit 2000 në Shqipëri. Familja e Musajt, në atë kohë, ka qenë në dijeni se i riu është kërcënuar me vrasje për hakmarrje sipas rregullave të së drejtës zakonore të kanunit, sapo ka mbushur moshën madhore. Kjo ishte arsyeja pse ai u largua në drejtim të Gjermaninë me nënën dhe vëllain më të vogël, por sërish nuk i shpëtoi vdekjes.

Njëri prej vrasësve, 47-vjeçari identiteti i të cilit nuk bëhet me dije kishte disa vite që jetonte në Gjermani dhe kishte në pronësi një lavazh atje. Dy vite pas ngjarjes, drejtësia gjermane e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen në bashkëpunim të Xhoi Musajt, ndërsa Maqeshi ishte në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISË:

DVP Tiranë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës arrestuan shtetasin A. M., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Më datë 11.06.2023, rreth orës 20:40, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip "Benz" me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e ULM/Gjermani, e cila ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprës penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
 
Shtetasi A. M., në vitin 2017, në qytetin e Ulm, Gjermani, është konfliktuar me shtetasin shqiptar Xh. M., të cilin e ka qëlluar me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

alidon marqeshi

Sondazh

Poll