Aktualitet

“Një gram 50 euro, gjysma e gramit 30 euro”, policia greke shkatërron grupin kriminal që drejtohej nga një shqiptar, favoret që bënin për klientët besnikë

Klientela e tyre ishte e mjaftueshme dhe vetëm brenda pak ditësh nga data 8 deri më 23 maj kishin arkëtuar 5850 euro nga shitja e kokainës dhe kanabisit. 

11 Qershor 2023, 18:10 Nga m.s
“Një gram 50 euro, gjysma e gramit 30 euro”, policia greke
policia greke

GREQI- Pesë persona, mes tyre dhe një grua, janë anëtarët e organizatës kriminale të zbërthyer nga Departamenti i Prokurorisë së Narkotikëve pranë Sigurimit të Patrës, të cilët akuzohen se kanë mbushur me kokainë Achaia dhe Attiki. Sipas mediave greke, grupi drejtohej nga një shqiptar, i cili gjente klientët dhe paguante ambientet me qira të marra nga anëtarët e tjerë të grupit.

Autoritetet flasin për 153 trafikime për të paktën 53 përdorues në vetëm pak ditë. Pesë të pandehurit janë tashmë në burg. Gazeta "Patris" ka publikuar provat që çuan në arrestimin e tyre, në një operacion të përbashkët të Prokurorisë së Narkotikëve Patras dhe Nëndrejtorit të Prokurorisë së Narkotikëve Atikë.

Informacioni që mbërriti në polici

Informacioni që ka mbërritur në policinë e Patrës bënte fjalë për aktivitetin e personave që trafikonin sasi të mëdha kokaine në prefekturë dhe në Athinë. Hetimi ka nisur menjëherë, duke u fokusuar kryesisht në 10 celularë. Kreu i grupit i cili është shqiptar, ka qenë ai që ka gjetur klientët dhe që paguante ambientet e grupit të marrë me qira dhe celularët e trafikantëve, ndërsa ai vetë shpërndante drogë klientëve të caktuar. 

Dy burra (një shqiptar) dhe një grek që quhej Mitso - janë ata që shpërndajnë drogën dhe informojnë drejtuesin për çdo problem por edhe ... ankesa të klientëve. Gruaja e arrestuar – greke – sipas aktakuzës është ajo që fshihte dhe ruante sasinë më të madhe të lëndës narkotike në shtëpinë e saj, dhe ishte në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesin.

Nuk dihet ende burimi origjinal ku drejtuesi ka gjetur drogën, por janë zbuluar banesat në Pire ku fshihej droga. Megjithatë, për të mbuluar gjurmët, anëtarët e organizatës kriminale përdorën si “vitrinë” një kafene në Neo Faliro që i përkiste një të afërmi të drejtuesit, shkruan "Politica".

E çuditshmja e kësaj kafeneje është se drejtuesi shfaqet si përgjegjës dhe anëtarët e tjerë si punonjës apo klientë. Siç mësohet, dërgesat e drogës kryheshin aty, ndërsa kishin në posedim edhe një “telefon shërbimi” që e përdornin për të komunikuar me klientët. Paratë i merrte gjithmonë drejtuesi i cili informohej me çdo detaj se si shkonte trafiku i drogës. Ata kishin në dispozicion edhe automjete që përdoreshin për të fshehur drogën.

Kodet dhe lista e çmimeve

Ata përdorën kode për të komunikuar me njëri-tjetrin. 1 dozë prej një gram quhej e plotë ose e madhe. Nga gjysmë gram: gjysmë ose pak. Nga 0.25 gram: i vogël ose blu. Sasia e fundit ka pasur kërkesën më të madhe me çmim 20 euro. Çmimi i shitjes për një gram ka qenë 50 euro, ndërsa gjysma e gramit është shitur për 30 euro. Klientëve të mirë u është bërë edhe zbritje në çmim. Ata që nuk paguanin, nuk merrnin dozë tjetër derisa të paguanin ose të ulnin borxhin. Klientela e tyre ishte e mjaftueshme dhe vetëm brenda pak ditësh nga data 8 deri më 23 maj kishin arkëtuar 5850 euro nga shitja e kokainës dhe kanabisit. 

Bastisja ka ndodhur më 1 qershor, si në vitrinën ashtu edhe në shtëpitë e tyre. Në shtëpinë e drejtuesit, autoritetet gjetën kokainë dhe 9 mijë euro. Ata gjetën edhe kokainë dhe kanabis në shtëpitë e tjera. Në raportin e policisë thuhet se: “Rolet e dallueshme të anëtarëve të organizatës në kombinim me metodologjinë specifike në mënyrën e veprimit që ata kishin zhvilluar, tregon pa dyshim se nuk ka marrëveshje të rastësishme vullnetesh, por një vendim të përbashkët për drogën".

greqi trafik droge arrestohet shqiptari

Sondazh

Poll