Aktualitet

U la në burg për shitblerje të votave, Fredi Beleri kërkon pavlefshmëri të përgjimeve

Ai kërkon të shpallë të paligjshme përgjimet audio dhe video në vende private, të bëra me urdhër të Prokurorisë dhe që u konsideruan të ligjshme nga Gjykata e Vlorës.

11 Qershor 2023, 17:01 Nga m.s
U la në burg për shitblerje të votave, Fredi Beleri kërkon
Fredi Beleri

HIMARË- Kandidati fitues për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 14 Majit, Fredi Beleri, me anë të avokatëve të tij i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit me ankim, kundër vendimit të Gjykatës së Vlorës që lejoi përgjimin e tij në datën 10 Maj. Ai kërkon të shpallë të paligjshme përgjimet audio dhe video në vende private, të bëra me urdhër të Prokurorisë dhe që u konsideruan të ligjshme nga Gjykata e Vlorës.

Avokatët e tij janë shprehur se vendimi që angazhoi grupet operacionale për përgjimin e tij nuk ka datë dhe orë të fillimit dhe mbarimit të veprimit, ashtu sikurse as kërkesa për vleftësimin e tyre, duke e bërë atë të paligjshëm. Gjykata e Posaçme e Apelit do e shqyrtojë këtë kërkesë në datën 16 Qershor në Dhomë Këshillimi, teksa gjyqtari i cili do ta vlerësojë atë është Florjan Kalaja. Kujtojmë këtu se falë këtyre përgjimeve, janë siguruar provat kryesore kundër kandidatit fitues në Bashkinë e Himarës që tregonin përfshirjen e tij në shitblerjen e votave për zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, u prangos më 12 Maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të blerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në Prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.

fredi beleri shitblerje votash

Sondazh

Poll