Bota

I dënuar përjetë për 16 shpërthime me bomba që i bënte në shtëpi, vdes në qeli Ted Kaczynski

Kaczynski, i cili u dënua për një seri sulmesh me bomba që synonin shkencëtarët, po mbahej në Karolinën e Veriut pasi u transferua në vitin 2021 nga një burg i sigurisë maksimale të Kolorados për shkak të shëndetit të tij të lig.

10 Qershor 2023, 21:20 Nga k.m.
I dënuar përjetë për 16 shpërthime me bomba që i
Ted Kaczynski

SHBA- Ted Kaczynski, njeriu i njohur si "Unabomber", i cili po vuante burgun përjetë pa mundësinë e lirimit me kusht për një seri bombardimesh në të gjithë SHBA që vranë tre persona, u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Karolinën e Veriut. Lajmin e konfirmoi Byroja Federale e Burgjet e konfirmuar. Ai ishte 81 vjeç.

Kaczynski, i cili u dënua për një seri sulmesh me bomba që synonin shkencëtarët, po mbahej në Karolinën e Veriut pasi u transferua në vitin 2021 nga një burg i sigurisë maksimale të Kolorados për shkak të shëndetit të tij të lig.

Shkaku i vdekjes nuk u publikua.

Kaczynski po vuante dënimin pas arrestimit të tij në vitin 1996 në kabinën ku ai jetonte në Montanën perëndimore. U shpall fajtor për 16 shpërthime që i morën jetën 3 personave dhe plagosën 23 të tjerë në vende të ndryshme të SHBA, mes viteve 1978 dhe 1995.

Bombat që i bënte vetë në shtëpi, Kaczynski i dërgonte me postë. Ato përfshinin edhe një eksploziv që aktivizohej nga lartësia dhe që ndodhi ashtu siç e kishte planifikuar në një fluturim të American Airlines, duke ndryshuar mënyrën sesi amerikanët dërgonin pakot dhe hipnin në avion.

FBI e quajti atë Unabomber sepse objektivat e tij të hershëm dukej se ishin universitetet dhe linjat ajrore. Në shtator 1995, Washington Post së bashku me The New York Times publikuan manifestin e tij anti-teknologji, "Shoqëria industriale dhe e ardhmja e saj". Manifesti u shtyp me nxitjen e autoriteteve federale, pasi sulmuesi tha se do të hiqte dorë nga terrorizmi nëse një media kombëtare do të publikonte traktatin e tij.

Ishte pikërisht ky material që e çoi pas hekurave. Vëllai i tij David dhe bashkëshortja Linda Patrik njohën shkrimin dhe raportuan në FBI.

Në Prill të vitit 1996, autoritetet e gjetën Kaczynski në Montana, jashtë Lincoln, në një kabinë prej kompensate jo më shumë se 4 metra. Aty kishte jetuar prej vitit 1970. Streha ishte e mbushur me ditarë personalë, një ditar të koduar, përbërës për eksplozivë dhe 2 bomba të kompletuara.

Kaczynski e urrente idenë që të shihej si person me probleme të shëndetit mendor dhe gjatë gjyqit u përpoq të pushonte nga puna avokatët e tij, në momentin që ata donin të ngrinin mbrojtjen me argumentin e çmendurisë. Në fund ai pranoi fajësinë, duke mos i lënë avokatët që të vazhdonin.

Në ditarët e tij personalë, të bëra publike nga qeveria me kërkesë të familjes së viktimave, Kaczynski i përshkruante motivet e tij si “thjesht hakmarrje personale”.

“Shpesh fantazoja të vrisja njerëzit që urreja, zyrtarë të qeverisë, policë, shkencëtarë kompjuterikë, tipat e zhurmshëm të studentëve që i linin kanaçet e tyre të birrave në parqe, etj etj,”- shkruante ai.

Kaczynski vrau pronarin e një dyqani kompjuterash me qira, Hugh Scrutton, ekzekutivin e reklamave Thomas Mosser dhe lobistin e industrisë së drurit, Gilbert Murray./NBC

ted kaczynski s

Sondazh

Poll