Bota

“Mos organizoni zgjedhje të reja”, Vuçiç thirrje Prishtinës: Duhet më shumë autonomi për serbët në veri

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të fortë të Kosovës, i kanë kërkuar Prishtinës që të organizojë zgjedhje të reja në zonën me shumicë serbe, për të zbutur tensionet dhe Serbia të heqë gatishmërinë e saj luftarake dhe të largojë trupat nga kufiri me Kosovën.

9 Qershor 2023, 19:38 Nga m.s
“Mos organizoni zgjedhje të reja”, Vuçiç thirrje
Aleksandër Vuçiç

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i kërkoi Kosovës që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarët e komunave në veri të saj, derisa t'u jepet më shumë autonomi serbëve etnikë që formojnë një shumicë lokale dhe bojkotuan një votim të mëparshëm.

"Të gjithë serbët në veri mendojnë për Serbinë si vendin e tyre, jo Kosovën. Ky është realiteti", tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një intervistë për "Reuters" në Beograd. "Dikush duhet të marrë një kontroll dhe të organizojë zgjedhje (të reja) atje".

Dhuna u ndez në veri të Kosovës javën e kaluar, pasi kryetarët shqiptarë etnikë u vendosën në detyrë në disa komuna me shumicë serbe pas zgjedhjeve lokale të prillit, që tërhoqën një pjesëmarrje prej vetëm 3.5%.

Në përgjigje të trazirave, në të cilat protestuesit serbë u përleshën me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë dhjetëra të plagosur nga të dyja palët, Serbia vendosi forcat e saj të armatosura në gatishmërinë më të lartë luftarake dhe NATO dërgoi përforcime në misionin e saj në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të fortë të Kosovës, i kanë kërkuar Prishtinës që të organizojë zgjedhje të reja në zonën me shumicë serbe, për të zbutur tensionet dhe Serbia të heqë gatishmërinë e saj luftarake dhe të largojë trupat nga kufiri me Kosovën.

Por Vuçiç tha se autoritetet në Kosovë, një ish-krahinë serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008 pas një kryengritjeje të viteve 1990 nga shumica e shqiptarëve etnikë – do të duhet të bëjnë disa lëshime për të siguruar pjesëmarrjen serbe në një votim të ri.

"Ne ende nuk kemi një asociacion të komunave serbe, ende nuk ka tërheqje të forcave speciale të policisë (shqiptarëve të Kosovës) dhe kryetarëve të komunave atje", tha ai.

Një marrëveshje e vjetër, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashikoi që serbët në veri të themelonin një asociacion të komunave vetëqeverisëse, në këmbim të njohjes së institucioneve të Kosovës, por marrëveshja nuk u zbatua kurrë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse i jepet autonomi më e madhe nën asociacionin e komunave, zona me shumicë serbe mund të organizojë një referendum për t'iu bashkuar Serbisë.

Vuçiq tha: "Serbët (në veri) janë gjithmonë të gatshëm të bisedojnë, por ju duhet t'u ofroni atyre diçka".

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i tha "Reuters" në fillim të këtij muaji se vendi mund të zhvillojë zgjedhje të reja në komunat në fjalë, nëse 20% e votuesve nënshkruajnë një peticion duke i kërkuar ato. Ajo akuzoi gjithashtu Serbinë për ndërhyrje.

Në përgjigje, Vuçiç tha se "është e tmerrshme ajo për të cilën ata njerëz po flasin", dhe akuzoi Kurtin se nuk ishte i gatshëm për kompromis. “Jam i sigurtë që (Kurti) nuk do të investojë asnjë minutë nga koha e tij dhe as një pikë djerse për të gjetur një zgjidhje kompromisi”.

Ai tha se Serbia po shqyrtonte nëse do të ulte gatishmërinë e saj luftarake. "Ne do t'i mbajmë trupat tonë në gatishmëri të lartë, jo në gatishmërinë më të lartë luftarake, sepse kjo kushton shumë".

Vuçiç i tha gjithashtu "Reuters" në intervistë se Beogradi ishte në bisedime për të blerë avionë luftarakë Rafale nga Franca dhe për të forcuar më tej ushtrinë e tij me armë perëndimore.

Ai deklaroi se Serbia mbetet në rrugën e anëtarësimit në BE, dhe kishte arritur të balancojë politikat e saj të jashtme për të lejuar vazhdimin e marrëdhënieve miqësore me aleatin historik Rusinë dhe me Kinën.

drafti i rames per asosacionin aleksander vucic

Sondazh

Poll