Aktualitet

Vrau Elton Çiçon në 2016, Apeli i GJKKO konfiskon pasuritë e Jani Aliajt

Asnjë pasuri nuk ishte në vendin e tij.

9 Qershor 2023, 09:21 Nga k.m.
Vrau Elton Çiçon në 2016, Apeli i GJKKO konfiskon
Jani Aliaj dhe Elton Çiço

TIRANË- Dyqane, ullishte dhe disa vila i janë sekuestruar Jani Aliajt. Vendimi është marrë sot nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi dyshohet se pasuria e tij është vendosur si pasojë e aktivitetit të paligjshëm, edhe pse asnjë nuk ishte nën emrin e tij. 

Por kush është Aliaj?

Jani Aliaj, është i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, pasi më 1 maj të 2016, vrau me armë zjarri në një lokal në Tiranë, Elton Çiçon. Vrasja në fjalë tronditi opinionin në atë kohë, sepse ndodhi në një ambient publik mjaft të frekuentuar nga qytetarët, në zonën e ish-bllokut, teksa Elton Çiço ishte duke pirë kafe me një oficer policie, një doktor dhe një gazetar të kronikës së zezë. Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, prania e oficerit të policisë dhe gazetarit, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë. Si fillesë e kësaj sage hakmarrjeje mes dy bandave, dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Aliaj. Por përveç kësaj, policia ka ndjekur edhe pistën e prishjes së pazareve në trafikun e drogës në Greqi ku të dy grupet nga Tepelena kanë ushtruar aktivitetin kriminal, prej gati dy dekadash.

NJOFTIMI I PLOTË:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.53 datë 28.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me objekt konfiskimin e pasurive të subjektit të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”, të ndryshuar, në lidhje me subjektin Jani Alia dhe personave të tretë të lidhur me të.

Me vendimin nr.53 datë 28.12.2022 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (vendim i lënë në fuqi me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 të Gjykatës së Apelit), ndërmjet të tjerave ka vendosur: Konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara me vendimin nr.152 datë 30.09.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:

1. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 27 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 29.000 (njëzetë e nëntë mijë) Euro;

2. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 38.15 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 41.000 (dyzetë e një mijë) Euro;

3. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 26.4 m2, me adresë “Palorto” Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;

4. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 130 m2, me adresë Lagjia Palorto Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;

5. Objektin në proces legalizimi në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Palorto, Gjirokastër;

6. Pasuria e llojit ullishte, me sipërfaqe 200 m2, në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Borsh, Sarandë;

7. Objektin Vila “Kav…….”, në proces legalizimi në emër të N. Alia etj, me adresë Borsh, Sarandë.

elton cico jani aliaj

Sondazh

Poll