Bota

Parlamenti i Republikës Sërpska miraton rezolutë, u kërkon anëtarëve të OKB-së të tërheqin njohjen e Kosovës

Për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga Republika Sërpska, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe të dyja shtetet aplikojnë regjim të vizave për qytetarët e vendeve respektive.

9 Qershor 2023, 08:36 Nga I.A
Parlamenti i Republikës Sërpska miraton rezolutë, u kërkon
Parlamenti Srpska

SARAJEVË- Parlamenti i Republikës Sërpska ka miratuar më 8 qershor “Rezolutën për mbrojtjen e serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë”. Shumica në trupin më të lartë legjislativ të entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë udhëhiqet nga Aleanca e Socialdemorkatëve të Pavarur e Millorad Dodikut, i cili njëherësh është presidenti i Republikës Sërpska.

Dodik nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe ka raporte të ngushta me zyrtarët në Kremlin dhe Beograd. Për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga Republika Sërpska, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe të dyja shtetet aplikojnë regjim të vizave për qytetarët e vendeve respektive.

Çfarë thuhet në tekstin e rezolutës?

Teksti i rezolutës mbështet të drejtën e Serbisë “për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin, që garantohet nga ligji ndërkombëtar” dhe rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Rezoluta u propozua nga Nenad Stevandiç, president i Parlamentit të Republikës Sërpska, njëherësh kryetar i partisë Sërpska e Bashkuar, që është në koalicion me partinë e Dodikut. Në tekst thuhet se Republika Sërpska “dënon aktivitetet terroriste të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të tyre, të cilat paraqesin kërcënim për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë”.

Përveç rezolutës u miratuan edhe konkluzione, përmes së cilave, Republika Sërpska fton shtetet, anëtarët e OKB-së, të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që e njohin pavarësinë e Kosovës, të shqyrtojnë vendimin e tyre dhe të tërheqin njohjen për Kosovën.

Parlamenti i Republikës Sërpska po ashtu ka kërkuar që përfaqësuesit e këtij entiteti, që janë në institucionet e Bosnje e Hercegovinës, të iniciojnë marrjen e vendimeve që “do të dënonin shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe spastrimin e vazhdueshëm etnik të serbëve në Kosovë dhe Metohi nga shqiptarët e Kosovës dhe autoritetet e tyre”.

Parlamenti tha se do të dërgojë konkluzionet në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Parlamentin Evropian. Rezoluta dhe konkluzionet u mbështetën edhe nga partitë opozitare në Republikën Sërpska. Kjo çështje u propozua që të vendosej në agjendën e Parlamentit të Republikës Sërpska pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

parlamenti i republikës sërpska

Sondazh

Poll