Bota

Takimi i 9-të/ Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës mblidhen në Gjakovë, Kurti zbulon marrëveshjet që pritet të nënshkruhen

Po ashtu kreu i qeverisë së Kosovës bëri me dije se në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore, në mënyrë që importi, transiti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të realizohet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit.

7 Qershor 2023, 16:39 Nga a.l
Takimi i 9-të/ Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës
Albin Kurti dhe Edi Rama

KOSOVË- Më 14 qershor do të mbahet takimi i 9 i përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila përkon me ditën e përkujtimit të të rënëve në luftën për çlirimin e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së kabinetit të tij, i cili tha se do të nënshkruhen një sërë marrveshjesh në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtjes. 

“Do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë sonë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. E treta në më pak se dy vjet. Në mbledhjet e deritanishme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale. 39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë, e dy tjerat janë në fazën finale të zbatimit. Ndër to që vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve. Përmes saj do të mundësohet ushtrimi i këtyre profesioneve në të njëjta kushte në të dy vendet duke garantuar edhe interesin më të mirë të vetë qytetarëve”, tha Kurti.

Po ashtu kreu i qeverisë së Kosovës bëri me dije se në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore, në mënyrë që importi, transiti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të realizohet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit.

“Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, nuk na bëjnë bashkë vetëm për një ditë, ato na afrojnë për herë e më shumë si shoqëri, si popull. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë. Marrëveshjet që do të nënshkruajmë, do të na afrojnë edhe më shumë”, shtoi Kurti. 

Prej 11 janarit 2014, kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim, janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje. Disa prej tyre janë realizuar por ka shumë që kanë mbetur vetëm në letër. 

albin kurti

Sondazh

Poll