Bota

Takimi më 5 qershor me Escobar dhe Lajçak/ Kurti: Iu propozova një opsion të sigurt për daljen nga kriza në veri! Nuk më vunë ultimatum

Ai tha se këto grupe kriminale duhet të përballen me drejtësinë për krimet dhe shkeljet që kanë bërë, prej djegies së makinave e te plagosjet me armë zjarri, shok-bomba e granata dore.

7 Qershor 2023, 15:51 Nga a.l
Takimi më 5 qershor me Escobar dhe Lajçak/ Kurti: Iu propozova
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimeve të zhvilluara një ditë më parë me emisarin amerikan Gabriel Escobar dhe atë evropian Miroslav Lajçak deklaron se ka ofruar një dalje të qëndrueshme dhe të sigurt nga kriza në veri, e cila, sipas tij është shkaktuar nga strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë. 

“E para është sundimi i ligjit. Kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë të cilët ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm, e të grupeve kriminale. Në Kuvendin e Kosovës unë i kam përmendur 33 emra, 5 të tjerët janë në burg, të tjerët nuk janë. Dhe të gjithë këta kriminelë, ekstremistë të dhunshëm që silleshin atë ditë porsi një milici fashiste do të duhej që sa më parë të përballen me drejtësinë. Ka prej tyre që kanë ardhur nga Serbia në Kosovë. Pra, pika e parë është sundimi i ligjit”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media, shkruan REL.

Ai tha se këto grupe kriminale duhet të përballen me drejtësinë për krimet dhe shkeljet që kanë bërë, prej djegies së makinave e te plagosjet me armë zjarri, shok-bomba e granata dore.

“E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimit të të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së policisë nëpër ndërtesa komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët herën e kaluar. Pra, po zgjedhje të reja, zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe pas përgatitjes së terrenit”, tha Kurti.

Sipas tij, përgatitja e terrenit për zgjedhje të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nënkupton që ato të jenë të lira dhe të ketë fushatë parazgjedhore po ashtu të lirë dhe demokratike.

“Unë jam i gatshëm për diskutime, bisedime, por ritheksoj, republikën tonë demokratike, shtetin tonë të pavarur, Kosovën sovrane nuk e dorëzojmë asnjëherë, për asnjë çmim para milicisë fashiste, para këtyre grupeve kriminale e ekstremistëve”, tha Kurti. 

Më herët, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka treguar se do t’i raportojë Shtëpisë së Bardhë gjatë të premtes së kësaj jave, rreth qëndrimit që do të marrë Qeveria e Kosovës në raport me kërkesat ndërkombëtare për de-përshkallëzim në Veri.  

Kjo u interpretua edhe si një afat për kryeministrin Kurti që të japë qëndrimin e tij lidhur me kërkesat e paraqitura edhe nga Brukseli zyrtar. Megjithatë kryeministri Albin Kurti ka thënë se s’ka marrë asnjë ultimatum pas takimit me emisarët e SHBA-së dhe të BE-së dhe se u ka ofruar atyre mënyrën për të dalë nga kriza. 

tensione në veri të kosovës albin kurti

Sondazh

Poll