Bota

Tensionet në veri lënë pezull detyrat e qeverisë, Kurti mbledh sot ministrat pas më shumë se dy javësh

Në mbledhjen e sotme kanë qenë 21 pika në rend të ditës, ndër të cilat edhe shqyrtimi i Projektligjit për Fondin Sovran, që nga kryeministri Albin Kurti u cilësua si një prej projektligjeve më të rëndësishme.

7 Qershor 2023, 16:16 Nga a.l

 

Tensionet në veri lënë pezull detyrat e qeverisë, Kurti
Mblidhet qeveria në Kosovë

 

KOSOVË- Pas më shumë se dy javësh tensionesh në veri të vendit, qeveria e Kosovës ka bërë sot mbledhjen e parë të kabintetit të qeverisë. Mbledhja fundit e Qeverisë është mbajtur dy ditë para kësaj date në formë elektronike. 

Në rend dite, ishte vetëm një pikë. Dy ditë më parë u miratua nisma për lidhjen e Marrëveshjes për njohjen e së Drejtës së Ushtrimit të Profesioneve të Avokatit dhe Ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme kanë qenë 21 pika në rend të ditës, ndër të cilat edhe shqyrtimi i Projektligjit për Fondin Sovran, që nga kryeministri Albin Kurti u cilësua si një prej projektligjeve më të rëndësishme.

“Nga viti 2017, janë bërë më shumë se 6 vjet prej kur për herë të parë si Lëvizje VETËVENDOSJE! kishim prezantuar idenë dhe projektin e Fondit Sovran. Prej atëherë ai ishte pjesë qendrore e programeve tona zgjedhore e qeverisëse, përfshirë edhe programin e Qeverisë Kurti 1. Prej idesë, në koncept. Prej zotimit, në projekt. Fondi Sovran po bëhet”, tha Kurti kur e prezantoi këtë projektligj.

Projektligji u miratua pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim. Kurti bëri me dije se ndërmarrjet publike, së bashku me 24 mijë asete tjera do të barten nga qeveria në këtë Fond. Një javë pas kësaj mbledhje, Kurti bëri me dije se do të mbahet mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.

Situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR’it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. 

tensionet në veri të kosovës albin kurti

Sondazh

Poll