Sport

Pas Tiranës, sonte luhet në Pragë, në ‘ankand’ kupa ‘më e vogël’ e Europës…

Fiorentina dhe West Ham do të përballen këtë të mërkurë (21:00) në finalen e edicionit të dytë të Conference League.

7 Qershor 2023, 11:15 Nga DOSJA
Pas Tiranës, sonte luhet në Pragë, në ‘ankand’

ÇEKI - Fiorentina dhe West Ham do të përballen sonte (21:00) në stadiumin “Fortuna Arena” të Pragës, në finalen e edicionit të dytë të Conference League. Më shumë të mësuar me humbjet se sa me ngritjen e trofeve, ‘Violat’ dhe ‘Hammers’ kanë një shans të artë për t'i dhënë fund disa dekadave pa fituar tituj evropianë dhe për të shpëtuar një sezon zhgënjyes.

Dy javë më parë, skuadra nga Firence ndjeu hidhërimin e humbjes së një finaleje, në Kupën e Italisë, ndaj Interit (1-2). Pasi përfunduan Serie A në vendin e 8-të, ata iu drejtuan Evropës në kërkim të lavdisë. E fundit përtej kufijve daton në vitin 1990, kur humbën Kupën UEFA ndaj Juventusit dhe arritja e fundit dhe e vetmja ndodhi në vitin 1961, në Kupën e Fituesve të Kupave, kundër skocezëve të Rangers. 

E kombinuar me mundësinë për të luajtur në fazën e grupeve të Europa League sezonin e ardhshëm, ka më se të mjaftueshme arsyet për entuziazmin e trajnerit Vincenzo Italiano: "Kur hyra në stadium për herë të parë, mendova për rrugën që morëm për të arritur deri këtu. Ishin 14 ndeshje, një udhëtim i jashtëzakonshëm, por shumë i vështirë. Më vjen keq për Romën (të mposhtur në Europa League), por tani kemi shansin tonë."

Histori e ngjashme për West Ham (i 14-ti në Premier League), jashtë çdo finaleje që nga FA Cup 2006, dhe gjithashtu me një Kupë të Fituesve të Kupës për t'u ekspozuar në muze, e fituar në 1965 në kurriz të 1860 Mynihut. 

Për trajnerin David Moyes, nderi i të qenit në Pragë, nuk është më pak: "Është fantastike të jesh pjesë e një finaleje evropiane. Është një nga momentet më të rëndësishme në karrierën e një trajneri. Do të jetë shumë e vështirë, Fiorentina e ka bërë mirë rrugën dhe është gjithmonë e vështirë të përballesh me skuadrat italiane”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll