Politike

Votat nga burgu që përcaktuan fatin e Rrogozhinës/ KAS rrëzon “BF”, Edison Memolla i PS-së fitues me 21 vota diferencë

Falë 21 votave diferencë, Edison Memolla mbetet kryebashkiaku i zgjedhur i Rrogozhinës nga zgjedhjet e 14 Majit

6 Qershor 2023, 16:34 Nga m.s
Votat nga burgu që përcaktuan fatin e Rrogozhinës/ KAS
foto ilustruese

TIRANË- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) mori vendimin sot për Rrogozhinën, duke rrëzuar kërkesën e “Bashkë Fitojmë”, për të shpallur pavlefshmëri të qendrës së votimit të burgut, duke lënë në fuqi rezultatin e numërimit. Diferenca mes dy kundërshtarëve është vetëm 21 vota, kjo në favor të Partisë Socialiste. Falë 21 votave diferencë, Edison Memolla mbetet kryebashkiaku i zgjedhur i Rrogozhinës nga zgjedhjet e 14 Majit. Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për të mos pasqyruar në rezultatin final votat e qendrës së votimit në burgun e Rrogozhinës. KAS konfirmoi rezultatin pas rinumërimit të votave një ditë më parë kur Edison Memolla i Partisë Socialiste rezultoi me 5129 vota, përkundrejt 5108 votave të Shkëlqim Hoxhës të “Bashkë Fitojmë”.

KAS vendosi për rinumërimin e të gjitha kutive në Rrogozhinë, pas kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Koalicioni ankimoi rezultatin në këtë bashki, ku kërkoi që kutia e burgut të mos përfshihej, pasi sipas tyre, ishte ajo që ka sjellë manipulimin e rezultatit në këtë bashki, gjë që nuk u pranua nga KAS. “Bashkë Fitojmë” kërkoi heqjen nga tabela përfundimtare të rezultatit të burgut në Rrogozhinë me pretendimin se kanë parregullsi, dhe se të dënuarit janë të përkohshëm dhe jo rezident të qytetit. Nga ana tjetër, Partia Socialiste kundërshtoi se kështu privoheshin të burgosurit nga e drejta e votës.

 

 

rrogozhina zgjedhjet e 14 majit bashke fitojme

Sondazh

Poll