Bota

Mijëra protestues mbushin rrugët në Varshavë kundër qeverisë së Polonisë

Protestuesit janë parë duke i mbajtur mbishkrimet “Mjaft është mjaft”, “Jo Polonisë autoritare”, si dhe e kanë fajësuar partinë në pushtet për rritjen e çmimeve.

4 Qershor 2023, 16:57 Nga f.i
Mijëra protestues mbushin rrugët në Varshavë kundër
protesta

POLONI- Gjysmë milion polakë protestuan kundër qeverisë nacionaliste-populiste në Varshavë të dielën, më 4 qershor, në një nga demonstratat më të mëdha të vendit që nga rënia e komunizmit në 1989. Lech Walesa, një ish-president polak, fitues i çmimit Nobel për Paqe dhe udhëheqës i luftës kundër komunizmit, iu bashkua figurave të opozitës në krye të marshimit përpara zgjedhjeve legjislative që pritet të mbahen në vjeshtë.

Njerëzit udhëtuan nga i gjithë vendi pasi ish-kryeministri Donald Tusk, kreu i partisë opozitare të qendrës Platforma Qytetare (PO), bëri thirrje për protestë kundër "kostos së lartë të jetesës dhe mashtrimeve të qeverisë”. Udhëheqësit e shumicës së partive opozitare inkurajuan mbështetësit e tyre të bashkohen në marshimin kundër partisë nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) të udhëhequr nga Jaroslaw Kaczynski.

Protestuesit janë parë duke i mbajtur mbishkrimet “Mjaft është mjaft”, “Jo Polonisë autoritare”, si dhe e kanë fajësuar partinë në pushtet për rritjen e çmimeve. Dikur udhëheqës i Këshillit Evropian, Tusk u ka thënë protestuesve se roli i opozitës është “i një rëndësie të njëjtë” me atë të viteve 1980.

Walesa, i cili ka kohë që nuk është aktiv në politikë, u thënë protestuesve se është në pritje të ditës kur partia nacionaliste dhe Kaczynski, do të largohen nga pushteti.

“Zoti Kaczynski, kemi ardhur për ty. Ajo ditë ka ardhur”, ka thënë Walesa.

Protesta e 4 qershorit është mbajtur në ditën kur është shënuar 34-vjetori i mbajtjes së zgjedhjeve pjesërisht të lira në Poloni, pas rënies së komunizmit në Evropë. Walesa është bërë presidenti i parë i kombit, i zgjedhur në mënyrë demokratike, më 1990.

Marrë nga REL

qeveria polake

Sondazh

Poll