Bota

Protesta në veri/ Zvicra dhe Franca dënojnë dhunën nga serbët, bëjnë thirrje për uljen e tensioneve

Në reagimin e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës thuhet se, palët duhet të marrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve. 

30 Maj 2023, 09:55 Nga a.l
Protesta në veri/ Zvicra dhe Franca dënojnë dhunën nga
Tensionet në veri të Kosovës

KOSOVË- Vijon pa incidente protesta në veri të Kosovës. Ndërkohë ndërkombëtarët bëjnë thirrje për ulje të tensioneve mes palëve. Franca dhe Zvicra kanë dënuar dhunën e protestuesve ndërsa u kanë bërë thirrje palëve që të mos përshkallëzojnë situatën. 

“Zvicra dënon fuqishëm sulmet e dhunshme në Zveçan kundër NATO, KFOR. Trupat janë atje për të ruajtur paqen dhe një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm. Bëjmë thirrje për kthimin e qetësisë në veri të Kosovës. Çdo akt provokimi duhet të shmanget nga të gjithë”, vijon reagimi.

Në reagimin e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës thuhet se, palët duhet të marrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve. 

“Franca shpreh solidaritetin e saj të plotë me ushtarët e misionit të KFOR-it, disa pjesëtarë të të cilit u plagosën gjatë përleshjeve në veri të Kosovës kur ata ndërhynë, në ushtrimin e misionit të tyre, ndërmjet demonstruesve serbë dhe forcave të policisë së Kosovës. Franca dënon këtë dhunë në termat më të ashpër dhe u bën thirrje palëve, veçanërisht qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve”, thotë reagimi. 

Si paraqitet situata në veri të Kosovës? 

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll