Bota

Kurti pas takimit me ambasadorët e QUINT-it: Protestuesit turma ekstremistësh te dirigjuar nga Beogradi

Në një njoftim për shtyp pas takimit me ambasadoret e QUINT-it, zyra e shtypit të kryeministrit Kurti thekson se të gjitha aktet e dhunshme duhet të dënohen.

29 Maj 2023, 22:30 Nga I.A
Kurti pas takimit me ambasadorët e QUINT-it: Protestuesit turma
Takimi

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se protestat në veri të vendit nuk janë paqësore, por janë turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi. Në një njoftim për shtyp pas takimit me ambasadoret e QUINT-it, zyra e shtypit të kryeministrit Kurti thekson se të gjitha aktet e dhunshme duhet të dënohen.

”Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe pjesëtarëve të medieve. Edhe pse në këto grumbullime sot ka edhe protestues paqësorë, kryeministri vlerësoi se këto nuk janë protesta paqësore, por turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeminsitrit.

Më pas përmenden simbolet nacionaliste shoviniste të përdorura nga protestuesit.

”Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë. Duke i informuar për gjendjen në veri dhe zhvillimet e sotme atje, kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për de-eskalimin e situatës, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi. Ata u dakorduan që të mbajnë komunikim të dendur orëve dhe ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?

Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.

albin kurti tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll