Bota

Tensionet në Veri, Vuçiç: Fajtori i vetëm është Kurti, do që të nxis luftë mes NATO-së dhe serbëve

Sipas mediave serbe, pas adresimit të tij në Beograd, ai do të shkojë për vizitë te kufiri me Kosovën, ku është vendosur edhe armata serbe.

29 Maj 2023, 20:33 Nga I.A
Tensionet në Veri, Vuçiç: Fajtori i vetëm
Aleksandar Vuçiç

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, iu drejtua qytetarëve për situatën në Kosovë, pas ngjarjeve të sotme në Zveçan. Vuçiç tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron të nxis konflikt mes serbëve dhe NATO-s. Sipas mediave serbe, pas adresimit të tij në Beograd, ai do të shkojë për vizitë te kufiri me Kosovën, ku është vendosur edhe armata serbe.

“Edhe pse ne e kemi thënë qe disa muaj që Kurti ka vetëm një dëshirë, që të shkaktojë konflikt në Kosovë, pak njerëz deshën ta dëgjojnë të vërtetën. Në tre ditët e fundit, secili mund ta kuptojë se çfarë është përgatitur për sot. Gjithçka është organizuar nga Albin Kurti që të nxitet një konflikt mes serbëve dhe NATO-s, dhe ai është përgjegjësi i vetëm. Ai dëshiron që t’i lajë duart e tij dhe të thotë që kjo situatë s’ka të bëjë asgjë me të”,tha Vuçiç.

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?

Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.

aleksandër vuçiç tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll