Politike

Zgjedhjet e 14 Majit, ankimime për 6 kryebashkiakë

Komisioni i Ankimimeve ka rrëzuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të shpallur të pavlefshëm rezultatin në Bashkinë e Krujës. Ankimimet e 5 Bashkive të tjera, ende nuk janë marrë në shqyrtim nga KAS.

29 Maj 2023, 14:42 Nga m.s
Zgjedhjet e 14 Majit, ankimime për 6 kryebashkiakë
numerimi i votave

TIRANE- Rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit prodhoi një sërë ankimimesh nga partitë politike. Shumica prej tyre janë për anëtarët e Këshillit, por nuk i kanë shpëtuar këtij procesi 6 kryebashkiakë të zgjedhur. Më konkretisht bëhet fjalë për kryetarin  e Bashkisë së Krujës, Elbasanit, Rrogozhinës, Belshit, Kamzës dhe Kuçovës. Deri më tani, Komisioni i Ankimimeve ka rrëzuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të shpallur të pavlefshëm rezultatin në Bashkinë e Krujës. Ankimimet e 5 Bashkive të tjera, ende nuk janë marrë në shqyrtim nga KAS.

Shqetësimi i opozitës ka të bëjë me teknologjinë për votimin dhe numërimin elektronik. Kjo lidhet me dy qytete ku triumfoi PS.

Në Kamëz, “Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertim kompjuterik të çdo pajisje elektronike me server për ruajtjen e të dhënave. Ekspertizë të huaj opozitarët kërkojnë edhe për Elbasanin, dhe gjithashtu ripërsëritje të procesit të votimit elektronik.

Votat e pavlefshme më të shumta se diferenca mes kandidatëve, ka nxitur koalicionin “Bashkë Fitojmë” të kërkojë rivotim në Bashkinë e Rrogozhinës. Sa i takon Belshit, kërkohet rinumërimi i votave në të gjitha qendrat e votimit, si dhe shpalljen e pavlefshme të procesit të votimit në burgun 'Kosovë’. Deri në përfundim të procesit të ankimimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do mund të certifikojë zyrtarisht fitoren për këta kryebashkiakë.

kryebashkiaket zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll