Sport

VIDEO/ Barcelona vendos gurin e parë të “Camp Nou” të ri... Ja ceremonia e veçantë

Në një akt simbolik që ka pasur praninë e protagonistëve të rëndësishëm të Barcelonës, si Xavi, Busquets dhe Laporta.

29 Maj 2023, 12:00 Nga DOSJA

VIDEO/ Barcelona vendos gurin e parë të “Camp Nou” të

SPANJE - Barcelona mbrëmë luajti ndeshjen e fundit ndaj Mallorcas (3-0). Perdja e ‘Camp Nou’-t të vjetër është hequr dhe mëngjesin e kësaj të hëne është hedhur guri i parë simbolikisht, i asaj që do të jetë feudali i ri. Në orët në vijim do të nisin punimet e rimodelimit të stadiumit dhe Espai Barça do të bëhet realitet.

Barcelona ka vënë në skenë fillimin e punimeve me një akt në të cilin kanë qenë protagonistë të rëndësishëm të subjektit. Klubi ka ‘varrosur’ një urnë në fushën e ‘Camp Nou’ në të cilën disa përfaqësues të institucionit kanë mbajtur objekte të ndryshme. 

Kështu, Juan Manuel Asensi, president i Agrupació Barça Jugadors, ka depozituar gazeta të ndryshme të ditës së sotme; Xavi ka lënë një fanelë; Busquets, shiritin e kapitenit; Melanie Serrano, një top; dy pjesëtarë të futbollit bazë (Jana dhe Guiu), disa këpucë; dhe Joan Laporta, një flamur të Barçës dhe një tjetër të Katalonjës. Më pas, të gjithë kanë hedhur lopata dheu mbi urnë për ta lënë ‘të varrosur’ të shkuarën...

Presidenti i Barçës kujtoi se ‘Camp Nou’ i ri është një ëndërr që entiteti e kishte ndjekur prej vitesh. "Do të jetë fusha më e mirë në botë, në nivelin e klubit më të mirë në botë: më e sigurta, më komode dhe më komerciale. Është puna më e rëndësishme në qytet që nga Lojërat Olimpike",- tha avokati katalanas, i cili kujtoi se transferimi në stadiumin olimpik do të jetë deri në fund të vitit 2024.

"Ky stadium tashmë ka kaluar, plot kujtime, ndjenja, pasdite të shkëlqyera futbolli... por Spotify Camp Nou është e ardhmja. Ne do të jemi sërish këtu dhe do të kthehemi më të fortë se kurrë. Dëshirojmë që të vazhdojë të jetë skena e ditëve të lavdishme”, ka thënë presidenti.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll