Aktualitet

Grabitja e bankës në Koplik, 19-vjeçari lirohet nga burgu pas denoncimit nga 'Piranjat' (VIDEO)

Tre persona të armatosur hynë brenda bankës me armë dhe morën 10 mijë euro, 1 mijë dollarë dhe 4 milionë lekë të vjetra

26 Maj 2023, 22:21 Nga m.s
Grabitja e bankës në Koplik, 19-vjeçari lirohet nga burgu pas
grabitje banke

KOPLIK- ‘Piranjat’ publikuan në puntatën e parë të këtij sezoni në Syri Televizion temën e grabitjes së filialit të bankës, BKT, në Koplik. Ngjarja e ndodhur më 9 maj 2022, në orën 14:06, i ngjante një filmi hollivudian.

Tre persona të armatosur hynë brenda bankës me armë dhe morën 10 mijë euro, 1 mijë dollar dhe 4 milionë lekë të vjetra. Ata më pas u larguan me makinën e tyre ‘Golf 3’ të vjedhur dhe e dogjën pak kilometra më pas.

Policia pas 1 muaji zbardhi ngjarjen dhe arrestoi Bekim Gurrajn, Armir Shabaj dhe Admir Shabaj. Ky i fundit ishte vetëm 19-vjeçar dhe pretendonte se nuk kishte marrë pjesë në këtë ngjarje kriminale.

Babai i Admirit, Kujtimi, në bashkëpunim me ‘Piranjat’ vendosi të jepte detaje të pakundërshtueshme se djali i tij nuk ishte pjesë e grabitjes. Ai tregoi se 19-vjeçari ishte sëbashku me shokun e tij, Ralfin dhe nuk ishte prezent gjatë ngjarjes.

Deklarata e tij mbështetet dhe nga varianti i Ralfi Malajt dhe një video të publikuar nga ai në rrjetet sociale që tregon se Admiri dheRalfi kanë qenë së bashku në orën 14:00, duket qartë se i akuzuari nuk mund të arrinte për 6 minuta në bankë.

Për të përforcuar idenë se Admiri nuk ka marrë pjesë në grabitjen e bankës, mjafton të dëgjohet biseda me Klevis Gurrajn.

Vëllai i Bekimit e pranon hapur se Klevisi nuk ka qenë gjatë grabitjes. Bekimi po ashtu nga burgu i Reçit i pranon Kujtimit, se Admiri nuk ishte pjesë e grupit.

Kaq mjaftoi që Gjykata e Shkodrës dhe Prokuroria të viheshin sërish në lëvizje dhe të rimerrnin në pyetje dëshmitarët e ngjarjes. Bekimi e pranoi dhe përpara hetuesve që Admiri nuk ka marrë pjesë në grabitje.

Avokatja e Admirit, Sonila Deliallisi, vendosi të kërkonte ndryshimin e masës dhe më 8 maj, Gjykata e Shkodrës liroi nga burgu Admirin. 19-vjeçari doli dhe tashmë po shijon lirinë në pritje të përfundimit të hetimeve, por akuzat ndaj tij kanë rënë.

‘Piranjat’ e takuan gjatë daljes të riun dhe ai shumë i emocionuar u shpreh: ‘Ju falenderoj për punën që keni bërë. Tashmë do të vazhdoj shkollën dhe do të fokusohem te jeta ime. U mërzita në burg’.

Në të njëjtën linjë ishte dhe babai i tij, Kujtimi, që bashkëpunoi me ‘Piranjat’. ‘Jam shumë i kënaqur, ndihem mjaft mirë. Faleminderit dhe prej jush për gjithçka çfarë keni bërë’, është shprehur ai. /SYRI.net

grabitje banke bkt koplik

Sondazh

Poll