Aktualitet

'Mbi 12 mijë persona...'/ Koncerti te 'Air Albania', biznesmeni: Shkova në “buzuq” e përfundova duke pirë vetëm jashtë

Eksperienca në koncertin e Nikos Vertis në stadiumin 'Air Albania'.

26 Maj 2023, 19:26 Nga A.B
'Mbi 12 mijë persona...'/ Koncerti te 'Air Albania',
Altin Bamllari

TIRANË- Mbrëmjen e kaluar, në stadiumin 'Air Albania' performoi këngëtari grek Nikos Vertis. Stadiumi u mbush plot me njerëz që shijuan këngët e njohura greke. Biznesmeni Altin Bamllari, tregon se ishte i pranishëm e madje ka përllogaritur edhe numrin e personave që morën pjesë. Sipas tij, 12 mijë a më shumë persona ishin të pranishëm, duke shtuar se shfaqja nisi vonë. 

Më tej, ai tregon sesi shkoi eksperienca e tij mes turmës që 'u marros' me këngëtarin grek, edhe pse shumica s'ja kuptonte tekstin. 

REAGIMI:

Mbrëmë isha në buzuqi. Kisha qenë dhe herë të tjera, por me kaq shumë njerëz, asnjëherë. Emri i buzuqit Air Albania Stadium. Duke ditur kapacitetin 22 mijë vendësh, llogarita njerëzit nëpër shkallë. Rreth 12 mijë a më shumë. Nuk llogarisja dot ata të fushës. Pyeta një kopetent. Më tha që ishin mbi 4 mijë. Çmimet e biletave mashalla. Ne ishim 10 çupka dhe djemka bashkë. Përveç meje, asnjëri nuk dinte greqisht.

Na thanë që koncerti fillon në 19:00, por, në fakt, nisi në 21:10. Arsyen e vërtetë na e tregoi, si me të qeshur, një menaxher. -Duhet të konsumoni pak alkool që të vini në qejf para se të dalë ai, këngëtari i madh grek. Nuk ia prishëm dhe pritëm me durim çastin “e magjishëm”. Skena u ndez, publiku mori flakë. Unë u shova krejt. S’arrija të kuptojë eksitimin e gjithë asaj turme nga tingujt orientalë të violinave dhe “lulkat” e stërzgjatura të grekut këngëtar. -Çfarë thotë? -më pyet shoqnia. Unë nis t’u përkthej diçka, por ata s’dëgjojnë kurgjë dhe vazhdojnë si të dalldisur të tunden e shkunden.

Nuk duroj dot dhe vendos të dal jashtë të pi ndonjë gjë vërdallë. Në tavolinë më bashkangjitet, rastësisht, një mik. Pas 10 minutash dy të tjerë. Hahaha… Qeshin të tre kur marrin vesh që kam shkuar në “buzuq” e kam përfunduar të pi i vetëm jashtë. Kaloj me ta rreth një orë. Pastaj futem sërish aty ku e lashë. O Zot! Ç’të shoh! Tufa burrash që dridhen e s’përdridhen më keq se gratë. Disa prej tyre i njoh. Këngëtari grek s’pushon as edhe një sekondë. S’ka faj. Është i mahnitur. As i ka shkuar ndërmend të ketë përballë një popull që më shumë do komshiun sesa veten.

-Ku ishe? Çfarë ke? -më pyet shoqnia. Ç’tu them! -Isha kaps dhe ngela në banjë.

altin bamllari

Sondazh

Poll