Bota

Ngjarjet në veri të Kosovës, Haradinaj: Kurti të ketë kujdes, mos të marrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë

Haradinaj, ashtu sikurse kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i ka kërkuar Kryeministrit Albin Kurti që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë për veprimet e ndërmarra.

26 Maj 2023, 17:52 Nga A.B
Ngjarjet në veri të Kosovës, Haradinaj: Kurti të ketë
Ramush Haradinaj

KOSOVË- Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj ka dënuar sulmet dhe dënimet e policëve të Kosovës sot gjatë vendosjes së kryetarëve të rinj në objektet e komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.

Haradinaj, ashtu sikurse kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i ka kërkuar Kryeministrit Albin Kurti që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë për veprimet e ndërmarra.

Sot, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka dënuar “dhunën”, që sipas tij, kanë përdorur autoritetet kosovare për të hyrë në objektet e komunave. Ai ka kërkuar që të ndërpriten veprimet e autoriteteve menjëherë.

Postimi i plotë:

Tensionet në veri janë të papranueshme! Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bijnë pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti.

Kryeministri i Kosovës nga ana e tij, të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë.

Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri.

Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës.

Çfarë po ndodh?

Mesditën e sotme në të 4 komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi, ku para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç u mblodhën edhe qytetarë. Situata është agravuar ndërsa janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, është hedhur gaz lotsjellës nga policia për të shpërndarë protestuesit të cilët kanë djegur edhe makina.

Kjo protestë po bëhet në shenjë revolte nga protestuesit serb kundrejt kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në katër komunat me shumicë serbe./Dosja.al

ramush haradinaj tensione ne veri te kosoves

Sondazh

Poll