Bota

Pranga 37 anëtarëve të një grupi kriminal nga Ballkani Perëndimor, lideri i bandës jepte urdhra nga burgu

Grupi drejtohej nga një shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, i cili aktualisht po vuan dënimin me katër vite burg në Itali.

25 Maj 2023, 18:11 Nga m.s
Pranga 37 anëtarëve të një grupi kriminal nga Ballkani
arma e sekuestruar

KROACI- Europol njoftoi sot se janë arrestuar 37 anëtarë të një grupi kriminal nga Ballkani Perëndimor, i cili merrej kryesisht me kontrabandën e drogës dhe armëve të zjarrit në të gjithë Evropën.

Sipas njoftimeve, 15 nga 37 të dyshuarit u arrestuan gjatë kontrolleve të një dite më parë, të cilat u kryen njëkohësisht në Kroaci, Slloveni, Bosnje dhe Hercegovinë, Holandë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani.

Veprimet janë koordinuar nga posta komanduese në Zagreb, me mbështetjen e oficerëve të Europolit të dislokuar në terren. Grupi drejtohej nga një shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, i cili aktualisht po vuan dënimin me katër vite burg në Itali.

Ai vazhdoi të organizonte veprimtari kriminale nga qelia e tij e burgut, nga ku besohet se jepte rregullisht urdhra dhe udhëzime për vartësit e tij. Gjatë kontrollit, ndër të tjera u sekuestruan 148 mijë euro, 18 armë zjarri, mes tyre dy automatikë dhe 2512 copë municione.

Pranga 37 anëtarëve të një grupi kriminal nga Ballkani

Gjithashtu janë sekuestruar 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, 3 kilogramë amfetaminë, 7 kilogramë marijuanë dhe 10 kilogramë hashash, raporton "Euronews.rs".

Ky aksion ndërkombëtar pasohet nga një hetim kompleks i udhëhequr nga Administrata Kryesore e Policisë Kroate, në kuadër të Grupit Operativ të “Kartelit Ballkanik”, thuhet në njoftimin për shtyp të Europol.

Europol ka krijuar më parë Grupin Operativ të Punës “Balkan Cartel”, i cili mbledh së bashku hetues nga e gjithë Evropa dhe bota, për të trajtuar në mënyrë efektive kërcënimet që vijnë nga ky rajon. Në kuadër të punës së këtij grupi, së fundmi në Serbi u shpërbë organizata më e madhe e trafikut të drogës në Ballkan.

 

europol municione grupi kriminal nga ballkani perëndimor

Sondazh

Poll