Bota

Ekuadori drejt zgjedhjeve! Përgjimet me grupet shqiptare e problemet shëndetësore, Presidenti Lasso largohet nga pushteti: S'kam ndërmend të garoj më, shpëtova vendin

Tani ai thotë se partia e tij ka në plan të emërojë një kandidat dhe se muajt e tij të fundit si president i Ekuadorit do t'i kushtohen promovimit të dekreteve ekzekutive të fokusuara në sigurinë, shëndetin, arsimin dhe infrastrukturën.

19 Maj 2023, 17:38 Nga F.M
Ekuadori drejt zgjedhjeve! Përgjimet me grupet shqiptare e problemet
Guillermo Lasso

EKUADOR- Asambleja Kombëtare është shpërndarë dhe Ekuadori po shkon drejt zgjedhjeve, Mediat lokale shkruajnë se Presidenti Guillermo Lasso njoftoi se nuk do të jetë kandidat në zgjedhjet e parakohshme që mund të mbahen në gusht të këtij viti, duke shmangur shkarkimin e tij. Gjithashtu, ai tha se nuk i intereson kush e zëvendëson.

The Washington Post shkruan se Lasso ishte jashtëzakonisht i qetë, optimist dhe i shqetësuar për atë që mund të ndodhte në muajt e ardhshëm përballë protestave të mundshme sociale ose asaj kundërshtarët e tij kthehen në pushtet.

"Qëllimi im nuk është të parandaloj dikë që të kthehet në Ekuador,"- i tha ai gazetës, duke iu referuar ish-presidentit Rafael Correa, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e fundit lokale, duke marrë bashkitë dhe prefekturat e Quito e Guayaquil, me shumë vendeve të tjera.

Tani ai thotë se partia e tij ka në plan të emërojë një kandidat dhe se muajt e tij të fundit si president i Ekuadorit do t'i kushtohen promovimit të dekreteve ekzekutive të fokusuara në sigurinë, shëndetin, arsimin dhe infrastrukturën.

“Një prej tyre do të publikohej javën e ardhshme për t'i dhënë "më shumë besim, qetësi dhe siguri forcave tona të ligjit, në mënyrë që ata të mund të përdorin armët e tyre të pajisura për të mbrojtur qytetarët e pafajshëm dhe gjithashtu veten e tyre,”- tha ai për mediat amerikane.

"Gjëja themelore ishte të siguronim një rrugëdalje nga kjo krizë politike,"- shtoi Lasso.

Ai shtoi se masa është një "akt bujarie për vendin, për të shkurtuar një mandat presidencial për të arritur interesin e përbashkët të ekuadorianëve dhe për të mos parë këtë spektakël të turpshëm luftimesh midis politikanëve".

Në fund, ai pranoi se nuk ishte e lehtë t'i shkurtohej mandati, por është i bindur se të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe pasardhësit e tij, në rast se do të përballen me një situatë të ngjashme. 

"Unë do t'ia rekomandoja atë çdo presidenti të ardhshëm të Ekuadorit," theksoi ai.

Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) caktoi datën 20 gusht 2023 si datë për zgjedhjet e parakohshme në Ekuador.

Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso ka shfaqur dhe shumë probleme shëndetësore së fundmi. Më 16 prill ai anuloi axhendën e planifikuar, për shkak të një komplikacioni lidhur me shëndetin e tij. Lasso u shtrua në spital dhe mediat shkruajnë se Presidenti është ndjerë keq gjatë një interviste ku pati të dridhura dhe u transferua me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Quito.

Lasso ka qenë së fundmi në epiqendër të mediave për lidhjen me grupet kriminale shqiptare. Mafia shqiptare ka marrë një vëmendje të madhe në Ekuador dhe në çdo media të ndryshme raportohet për ndërhyrje të grupeve kriminale shqiptare në biznese të forta apo edhe në emërime të ndryshme në qeveri.

Së fundmi, disa audio-regjistrime të publikuara nga La Posta nxorrën në pah se Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso rrezikon shkarkimin nga detyra, por edhe një gjyq politik të nisur ndaj tij, e gjitha për "faj" të bandave shqiptare. Kjo pasi, sipas përgjimeve, Lasso ishte në dijeni të raportimit për lidhjet e mafies shqiptare me rrethin e tij të ngushtë, kryesisht me kunatin e tij, por ka heshtur. Por, përfshirja e shqiptarëve nuk ndalet me kaq. Një ministër dha dorëheqjen pasi u zbulua se CV-në për të kandiduar për postin në fjalë e kishte dorëzuar në duart e grupit shqiptar dhe jo të vetë Presidentit.

guillermo lasso zgjedhje ne ekuador

Sondazh

Poll