Sport

Probleme te Napoli? Marrëdhënie të “tensionuara” mes trajnerit dhe presidentit

Spalletti dhe De Laurentiis rrinë me kurriz të kthyer nga njeri-tjetri për shkak të kontratës së trajnerit

10 Maj 2023, 10:21 Nga DOSJA
Probleme te Napoli? Marrëdhënie të “tensionuara” mes

ITALI - Pavarësisht se Napoli ka fituar kampionatin italian, jo gjithçka është rozë brenda skuadrës napolitane. Sipas shtypit italian, marrëdhënia mes trajnerit Luciano Spalletti dhe Aurelio De Laurentiis është tensionuar shumë ditët e fundit, pasi presidenti aktivizoi klauzolën e zgjatjes së kontratës së trajnerit, pa u konsultuar me të. 

Spalletti mbërriti te Napoli në vitin 2021, pasi kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me edhe një tjetër opsionale. Dhe sipas 'Gazzetta dello Sport', presidenti De Laurentiis vendosi të aktivizojë opsionin tani, pa folur me trajnerin. 

Trajneri mësoi se do të shërbejë edhe një vit te Napoli përmes një letre zyrtare dhe është i frustruar me situatën. Ideja e tij ishte të ulej me presidentin e klubit dhe të bisedonte për një kontratë të re. 

Spalletti shpresonte se suksesi i arritur këtë sezon do të ishte i mjaftueshëm për të bindur De Laurentiis për t'i dhënë atij një marrëveshje të re dhe një rritje të konsiderueshme page.

Trajneri i Napolit aktualisht fiton 3 milionë euro në sezon, më pak se trajnerët e Interit, Milanit apo Juventusit. Por gjërat nuk kanë arritur ende në pikën e thyerjes dhe, sipas të njëjtës gazetë, ka mundësi që në fund të sezonit Spalletti dhe De Laurentiis të kenë një bisedë të rëndësishme dhe vendimtare.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll