Bota

"Ja ku jam, këtu për ju”, Berlusconi flet për herë të parë pas një muaji në spital, mesazh të fortë ndaj mbështetësve

Mjekët e Berlusconit të mërkurën konfirmuan se gjendja e tij ishte e qëndrueshme, por nuk përmendën se kur ai mund të largohej nga spitali

6 Maj 2023, 20:53 Nga m.s
"Ja ku jam, këtu për ju”, Berlusconi flet për
Silvio Berlusconi

ITALI- Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, u është drejtuar mbështetësve, për herë të parë prej kur është shtruar në spital, një muaj më parë. Ai u ka dërguar një video-mesazh anëtarëve të partisë nga dhoma e tij e spitalit. "Ja ku jam, këtu për ju, duke veshur një këmishë dhe xhaketë për herë të parë në një muaj", tha 86-vjeçari miliarder, manjati mediatik, në një fjalim të regjistruar. Ai falenderoi anëtarët për mbështetjen e tyre, "që më shumë se çdo gjë më ndihmoi të kapërcej një pneumoni shumë të rrezikshme". Berlusconi u shtrua në spitalin San Raffaele të Milanos më 5 prill, duke vuajtur nga një infeksion në mushkëri, pas së cilës mjekët zbuluan për herë të parë se ai kishte leuçemi.

Ai e kaloi javën e parë në terapi intensive, përpara se të transferohej në një repart normal. Silvio Berlusconi kishte shpresuar që të shërohej në kohë për konventën dy-ditore të partisë, e cila filloi të premten në Milano, tha një burim për AFP-në në fillim të kësaj jave.

Por në fund, një grup xhirues u soll në dhomën e tij të spitalit të premten për të regjistruar fjalimin e tij, thanë mediat. Mjekët e Berlusconit të mërkurën konfirmuan se gjendja e tij ishte e qëndrueshme, por nuk përmendën se kur ai mund të largohej nga spitali, shkruan "The Guardian". 

Forza Italia është një partner i vogël në qeverinë e koalicionit të kryeministres Giorgia Meloni dhe Berlusconi, themeluesi i partisë, mbetet presidenti i saj.

Pavarësisht se është në Senat, Berlusconi shihet rrallë në publik. Ai ka qenë brenda dhe jashtë spitalit gjatë viteve të fundit, veçanërisht pas prekjes nga Covid-19 në 2020. Forza Italia ka humbur shumë nga mbështetja e saj që nga lulëzimi i saj, kur Berlusconi ishte kryeministër tre herë midis 1994 dhe 2011. Berluskoni tha të shtunën se partia e tij ishte "shtylla kurrizore e kësaj qeverie", e pranishme "për të siguruar që vendimet e saj të jenë vërtet të sakta, të drejta, të balancuara". Në videon e tij 20 minutëshe, e cila u përcoll me duartrokitje nga publiku, ai tha se ishte gati të kthehej në punë. /Dosja.al

silvio berlusconi itali spital

Sondazh

Poll