Politike

Porti i ri tregtar në Durrës, NATO kundër masterplanit, Berisha: Rama po cenon sigurinë kombëtare

Në një situatë normale për Berishën duhet të ishte kreu i shtetit (në këtë rast Bajram Begaj) ai që do duhej të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje.

3 Maj 2023, 13:12 Nga k.m.
Porti i ri tregtar në Durrës, NATO kundër masterplanit, Berisha:
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka falenderuar Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut që rrëzoi projektin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama për portin e ri tregtar në Durrës. Në një deklaratë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se me projektin e tij, të cilin e cilësoi si korruptiv, Edi Rama rrezikon të cënojë sigurinë e NATO-s. Në një situatë normale për Berishën duhet të ishte kreu i shtetit (në këtë rast Bajram Begaj) ai që do duhej të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje. Megjithtë premtoi se opozita do ta bëjë kryefjalë në sesionin e ri parlamentar. 

"Jam këtu për të falënderuar me mirënjohje Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila hodhi poshtë përpjekjet e Edi Ramës për të mashtruar këtë aleancë dhe për ta ndërthurur atë në aferën megakorruptive të Portit të Durrësit Rama-Alabar. Vizitat në seli të Ramës, Xhaçkës dhe presidentit me një axhendë Porto-Romano dhe mbështetje nga NATO për mbylljen e Portit të Durrësit, shndërrimin e tij de facto pasuri shumë miliardëshe të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz, klani më i rrezikshëm në Europë, dhe miliarderit të Emirateve, Al Alabar, janë një histori e turpshme. Janë një përpjekje monstruoze për të veshur me petkun e aleancës, për të mbuluar vjedhjen e madhë të tmerrshme që po i bëhet pronës publike të shqiptarëve. Shkelmimin e interesave strategjike të Shqipërisë dhe NATO-s. Në çdo vend, në këtë situatë, kreu i shtetit do kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do gozhdonte kryetarin e qeverisë për këtë aferë mafioze që kërkon me çdo kusht të bëhet miliarder me pronat publike të shqiptarëve dhe të kërcënojë sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO-s për aq sa portet e Shqipërisë kanë rëndësi strategjike për aleancën. Kjo çështje do të jetë një çështje e rëndësishme e debatit sapo të hapet parlamenti i kyçur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore nga Rama dhe Linda e parlamentit. Pra, edhe njëherë, falënderoj aleancën për qëndrimin e saj në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve dhe dizaprovimin e hapur të projektit të mashtrimit të Porto-Romanos, me të cilin Edi Rama kërkon të mashtrojë shqiptarët dhe NATO-n,"-tha Berisha. 

Ideja e portit ka gjetur parimisht dhe mbështetjen e SACEUR, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të detajojë edhe më tej projektin e tyre, duke bërë zëvendësimin e zërit projektimit për bazën autonome detare për forcën detare, në zonë për përdorimin e forcave te NATO-s. Por, projekti i infrastrukturës i destinuar për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për forcat e armatosura është hedhur poshtë. Kjo sepse sipas MASTERPLANIT nuk i përmbahet kapaciteteve të kërkuara nga NATO.

sali berisha porti i durresit

Sondazh

Poll